Një shpërthim në një park industrial në Gjermani të martën la të vdekur së paku dy persona, ndërsa 31 të tjerë janë lënduar. Zjarri shkaktoi tym të madh mbi qytetin perëndimor gjerman, Leverkusen. Disa persona ende janë të zhdukur.
Shërbimeve emergjente iu nevojitën tri orë për ta shuar zjarrin në zonën industriale “Chempark”, ku ndodhen kompani të mëdha të kimikateve. Zjarri shpërtheu rreth orës 9 e 40 minuta të mëngjesit të së martës, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
“Mendimet e mia janë me të lënduarit dhe me të dashurit e tyre. Ende jemi duke i kërkuar të zhdukuarit, por shpresa për t’i gjetur ata të gjallë është duke u venitur”, tha shefi i zonës industriale ku ndodhi shpërthimi, Lars Friedrich.
Policia lokale tha se nga 31 personat e lënduar, pesë prej tyre ishin të prekur aq seriozisht, sa patën nevojë për kujdes intensiv.
Policia bllokoi disa rrugë dhe kërkoi nga banorët që të qëndrojnë brenda shtëpive e banesave dhe t’i mbajnë mbyllur dyert e dritaret. Autoritetet janë duke e analizuar cilësinë e ajrit përreth zonës për ndonjë gaz të mundshëm helmues.