Prodhuesi i lojërave elektronike, Electronic Arts (EA), ka njoftuar anulimin e të gjitha turneve të mbetura të kampionatit “Madden NFL 19” për të “shqyrtuar protokollet e sigurisë”, pasi një nga lojtarët hapi zjarr gjatë turneut të dielën pasdite, duke vrarë 2 persona dhe plagosur 11 të tjerë.
24-vjeçari David Katz vrau kolegët Elija Clayton (22 vjeç) dhe Taylor Robertson (27 vjeç).
“Ata ishin të respektuar, lojtarë të aftë dhe njerëz pozitivë”, tha Andrew Wilson, drejtori i përgjithshëm i EA, për dy viktimat, në një deklaratë të publikuar të martën. Wilson tha se pas “aktit të tmerrshëm dhe të pakuptimtë të dhunës”, kompania kishte anuluar tre aktivitetet e mbetura kualifikuese për “Madden NFL 19 Classic”, i pari nga katër garat kryesore të sezonit për video-lojëra.
“Anulimet vijnë në mënyrë që të bëhet një rishikim gjithëpërfshirës i protokolleve të sigurisë për konkurrentët dhe spektatorët”, tha ai.