Trupi gjykues i Departamentit për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Ferizaj sot shpalli aktgjykimin ndaj të pandehurve R. K, R. A dhe E. I, të cilët në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale falsifikimi i dokumentit nga neni 398 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të KPRK-së, veprën penale mashtrimi nga neni 335 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, si dhe veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 2 nën paragrafi 2.2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Sipas njoftimit, trupi gjykues pas mbajtës së shqyrtimeve gjyqësore, dëgjimit të palëve, dhe fjalëve përfundimtare të akuzuarin e parë R. K për veprën e parë penale falsifikimi i dokumentit e gjykon me dënim burgimi në kohëzgjatje prej tetë (8) muaj, ndërkaq për veprën e dytë mashtrimi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej një (1) viti e gjashtë (6) muaj, ndërkaq konform nenit 80 të KPRK-së u gjykua me dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej dy (2) vite. Trupi gjykues pas tërheqjes së prokurorit ngndaj të akuzuari R. A dhe E. I., ka refuzuar akuzën, raporton Ekonomia Online.
“I pandehuri R.K u shpall fajtor dhe u gjykua me dënim burgimi, sepse gjatë vitit 2012 në Gjilan, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, dhe në bashkëkryerje me të pandehurin kanë përpiluar dhe me dije kanë përdorur dokumentin e falsifikuar dhe atë kontratën e shitblerjes, edhe pse kanë qenë në dijeni se personi R.V kishte vdekur, të njëjtit e kanë përpiluar kontratën në të cilën si shitës e cekin të ndjerin, ndërsa blerës të akuzuarin R.K.”
“Ndërkaq një muaj më vonë i pandehuri R.K me anë të paraqitjes së rreme të fakteve apo duke i fshehur ato, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, ka mashtruar të dëmtuarin A.I duke e nxitë të njëjtin që të veprojë në dëm të pasurisë së tij në atë mënyrë që pasi e regjistron paluajtshmërinë e të ndjerit R. V në emrin e tij pran Zyrës Kadestrale në Novobërdë ia shet të dëmtuarit parcelat për çmimin në vlerë prej 9 000 euro, dhe përpilojnë kontratë të shitblerjes dhe të njëjtën e vërtetojnë pranë Gjykatës Themelore në Gjilan”, thuhet në njoftim.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 dite nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa iu drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.