Mesfushorët Eroll Zejnullahu dhe Mërgim Brahimi ishin ndër më të mirët në miqësoren e zhvilluar në Prishtinë, më 13 nëntor të vitit 2015 kundër Shqipërisë (2:2).
Morën shumë duartrokitje dhe ato ishin të fundit për ta si reprezentues të Kosovës. Në fakt, as me klubet e tyre kohëve të fundit nuk kanë marrë shumë duartrokitje, shkruan sot Koha Ditore.
Një kohë e errët po ndjek të dy lojtarët e talentuar. Për shkak të dokumentacionit të pazgjidhur, asnjëri sot nuk luan më për Kosovën. FIFA nuk i lejon. E për t’ua rënduar situatën, Brahimi nuk ka skuadër, kurse Zejnullahu nuk ka luajtur asnjë ndeshje këtë edicion me ekipin e tij, Union Berlin.
Çështja e Zejnullahut te Kosova është ngrirë, derisa të zgjidhë problemin me shtetësitë që ka. Ai është shtetas gjerman dhe pa lejen e këtij vendi ka marrë edhe shtetësinë e Kosovës. Këtë nuk e lejon Gjermania dhe për këtë lojtari është penalizuar. Ishte në rrezik të humbasë edhe shtetësinë gjermane.
Ndërkohë Brahimi ka problemin e njëjtë me të Loret Sadikut. Brahimi ka shfrytëzuar mundësinë e vetme që jep FIFA për ndërrim të përfaqësueses, kur nga Zvicra shkoi te Shqipëria.