Tri komitete të Kongresit amerikan do të vazhdojnë të dëgjojnë dëshmitë e dëshmitarëve më 8 tetor, në kuadër të procesit për shkarkim të presidentit amerikan, Donald Trump.
Gordon Sondland, ambasador amerikan në Bashkimin Evropian dhe Ulrich Brechbuhl, këshilltar i Departamentit amerikan të Shtetit, pritet të japin dëshmitë e tyre para ligjvënësve të Komiteteve të Inteligjencës, për Punë të Jashtme dhe atij për Reforma.
Hetimet kanë nisur pas zbulimit të një bisede të 25 korrikut në mes të presidentit Trump dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.
Sipas informatorit, gjatë bisedës, Trump i ka kërkuar homologut të tij ukrainas që të nisë hetime për kundërshtarin e tij në garën për zgjedhjet presidenciale, Joe Biden, dhe përfshirjen e djalit të këtij të fundit, në një kompani ukrainase për energji.
Para thirrjes, Trump pati pezulluar ndihmën ushtarake në vlerë të 400 milonë dollarëve për Ukrainën, derisa biseda mes këtyre dy liderëve është fshehur në departamentin për informacione shumë të ndjeshme.
Informatori është ankuar duke pretenduar se Trump “ka përdorur pozitën e tij për të kërkuar ndihmë nga një shtet i huaj”, në prag të procesit zgjedhor për një mandat tjetër presidencial.
Trump e ka konsideruar hetimin për shkarkim si “mashtrim” mirëpo e ka pranuar se “i ka vështirësuar punën”.
Hetimet e Dhomës së Përfaqësuesve mund të rezultojnë me gjykim në Senat rreth asaj nëse Trump duhet të largohet nga zyra e presidentit.
Sipas Kushtetutës amerikane, Dhoma e Përfaqësuesve ka fuqi për të shkarkuar presidentin për “shkelje të rënda dhe keqbërje”.
Kjo është hera e katërt në historinë amerikane që ka nisur një procedurë për shkarkim të presidentit, ndonëse asnjëri prej presidentëve nuk është larguar nga pozita përmes këtij procesi.