Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka ndaluar tre persona, dy prej tyre zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve, pas një hetimi disa mujor të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Sipas komunikatës, të ndaluarit janë ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, përkatësisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, njofton opinionin publik se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas zhvillimit të hetimeve disa mujore dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar tre (3) persona për 48 orë”, thuhet në njoftim.
Prokuroria bëri të ditur se dy nga të ndaluarit janë persona zyrtarë në MPB.
“Nga personat e ndaluar, dy (2) janë në cilësinë e personave zyrtarë në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Njëri prej tyre zyrtar në Divizionin për të Huaj, ndërsa tjetri është zyrtar në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC)”, bëhet e ditur.
Sipas organit të akuzës, dy zyrtarët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa personi i tretë për falsifikim të dokumenteve.
“Sipas dyshimeve të bazuara në fazën fillestare, të dyshuarit me inicialet F.Sh. dhe G.J., në cilësinë e personave zyrtarë, dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar’, ndërsa i dyshuari me inicialet D.K. dyshohet për kryerjen e veprës penale ‘Falsifikimi i dokumentit’.”
Hetimet paraprake, sipas Prokurorisë, kanë nxjerrë dyshime se dy zyrtarët kanë lëshuar në mënyrë të kundërligjshme leje qëndrimi për shtetas të huaj.
“Nga hetimet e deritanishme rezulton se të dyshuarit F.Sh. dhe G.J., në cilësinë e personave zyrtarë, dyshohen se në bashkëkryerje kanë lëshuar leje qëndrimi për shtetas të huaj, duke u mundësuar atyre pajisjen me dokumentacionin përkatës, përmes të cilit dyshohet se kanë përfituar dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme.”
Ndërkohë, i dyshuari i tretë akuzohet se ka falsifikuar dokumente për të mundësuar pajisjen e paligjshme me leje qëndrimi.
“I dyshuari me inicialet D.K. dyshohet se ka falsifikuar dokumente të ndryshme me qëllim që t’iu mundësojë personave të tjerë të aplikojnë dhe të pajisen në mënyrë të kundërligjshme me leje qëndrimi në Republikën e Kosovës”, thotë njoftimi.
Prokuroria njoftoi se brenda afatit ligjor do të vendosë nëse do t’i kërkojë gjykatës caktimin e ndonjërës prej masave të sigurisë ndaj të dyshuarve.
“Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të shqyrtojë mundësinë për paraqitjen e kërkesës për caktimin e ndonjërën prej masave të sigurisë ndaj të dyshuarve, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale”, thuhet tutje në njoftim.