Paulo Dybala pritet të largohet nga Juventusi në fund të këtij sezoni.
Sulmuesi argjentinas do të jetë lojtar i lirë për pak muaj pasi do t’i skadojë kontrata me “Bianconeri”.
Për këtë siguron gazetari sportiv italian, Fabrizio Romano, përcjell “Gazeta Express”.
Në tetor të vitit të kaluar kishte marrëveshje verbale në mes të palëve për një rrogë prej 8 milionë eurosh në vit plus 2 milionë nga bonuset, deri në vitin 2026.
Mirëpo, Juve ka vendosur ta ndryshojë pozicionin dhe ofertën.
Me këtë rast, ish-futbollisti i Palermos nuk ishte i kënaqur me ofertën që iu bë dhe tash është i hapur për të biseduar me klubet tjera.
Ai mund të arrijë marrëveshje qysh tash me klubin e ri, të cilit mund t’i bashkohet në verën që vjen.
Dybala ka qenë njëri prej sulmuesve më të rrezikshëm në Serie A viteve të fundit.