Ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa ka kërkuar nga kabineti qeveritar që të dyfishohet vlera e pagesave për bujqit vetëm për vitin 2020, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, ky vit do të jetë si vit i rimëkëmbjes për bujqësinë në vend.
“Që nga dita e pare e kësaj qeverie kemi paraparë që të bëhet subvencionimi e dyfishtë vetëm për këtë vit ku këtë vit do ta paguajmë dyfish subvencionet në bujqësi”.
“Vitin 2020 po e rikthejmë si vit të rimëkëmbjes për bujqësinë në vend”, tha ai.
Ai shtoi se në kuadër të Planit për Rimëkëmbjen Ekonomike do të bëhet dyfishimi i subvencioneve për fermerët.
“Pandemia COVID-19 ka paraqitur mjaftë sfida edhe për sektorin e bujqësisë. Këto sfida filluar me të vjelat dhe të mbjellat, ku në mungesë të tregjeve të gjelbëra ka vazhduar me mungesë të shitjes së produkteve bujqësore gjatë tërë vitit”.
“Sipas Planit për Rimëkëmbjen Ekonomike kemi paraparë dyfishimin e subvencioneve për vitin 2020, krahasuar me normat e viti 2019, duke rritur substancialisht fondet për të investuar edhe më shumë në bujqësi. Sivjet do të paguajmë dyfish për kulturat e parapara në Programin e Pagesave Direkte për vitin 2020”, tha Mustafa.