Dyshime për varrezë masive në Uglar, Lluka: S’do të ndalemi derisa të gjenden të gjithë të zhdukurit

Prishtinë | 17 Gus 2018 | 14:08 | Nga Tirana Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës dhe mbajtësi i dosjes për persona të zhdukur, Jahja Lluka, ka vizituar fshatin Uglar, ku po dyshohet se është një varrezë masive dhe po bëhet hulumtimi përmes një aparati se a ka mbetje mortore.

Lluka tha se në këtë vend është duke punuar një ekip i Kombeve të Bashkuara tash e 5 ditë dhe po ashtu ky ekip më parë ka punuar edhe në Serbi dhe së shpejti pritet që të jepen rezultatet definitive, raporton Ekonomia Online.

“Tani e 5 ditë jemi në punë, në disa vende, ku ka pasur mundësi, sipas disa dëshmitarëve anonimë deri më tani, se ka mundësi të ketë mbetje mortore dhe një ekip i Kombeve të Bashkuara është duke punuar tani e 5 ditë këtu, më herët kanë punuar në Serbi në disa lokacione dhe po shpresojmë që masi të përfundojnë të gjitha këto punë do të kemi rezultate, pasi që të dhënat e incizimeve nga këtu shkojnë në bazën e Britanisë dhe mandej Kombet e Bashkuara e dërgojnë te një ekspert, i cili e kryen punën përfundimtare, derisa ta kemi rezultatin definitiv nuk mundem me prediku asgjë, prandaj na duhet një kohë për të pritur”.

Lluka tha se janë 1648 të zhdukur, për të cilët nuk do t’i ndalin kërkimet, raporton EO.

“Ne besoj që kemi ba një punë të mirë dhe jemi në vazhdimësi në hulumtimin e vendndodhjeve të viktimave të luftës dhe po punojmë në zbardhjen e rastit 1648 të pagjeturve që tani janë të zhdukur, mirëpo me siguri pritjet e familjarëve janë shumë të mëdha, mundësia është shumë e vogël, sepse bashkëpunimi nuk është në nivelin e duhur me gjithë përpjekjet dhe fjalët e mëdha, mirëpo ne nuk do të ndalemi derisa të gjendet edhe njeriu i fundit i Kosovës”.

Ai gjithashtu tha se në Jallovishte të Serbisë ka dyshime për një varrezë masive, mirëpo nuk kanë gjetur mirëkuptim për hulumtim në atë lokacion, dhe se hulumtime të tjera janë bërë në disa lokacione në Kosovë.

“Është bërë një punë e mirë edhe nga dy komisionet, i Kosovës dhe i Serbisë, megjithëse ne kemi pasur një kërkesë që në një vend në Jallovishte të Serbisë, ku kemi pasë informacione që gjendet një varrezë masive, nuk kemi hasur mirëkuptim dhe do të vazhdojë procedura e rregullt”.

“Këtu në Kosovë janë bërë në Uglar katër hulumtime në katër vende, në Kishnicë në dy vende dhe në Bukosh të Vushtrrisë në një vend dhe po shpresojmë që do të kemi ndonjë rezultat eventual”.

Lluka tha se kriminelët do të dalin para drejtësisë dhe se një ditë të gjithë do të japin llogari për çdo krim, raporton EO.

“Pak e rëndë me thënë që gjenden mbetje mortore, mirëpo familjarët edhe me atë po pajtohen dhe tani kanë kaluar 20 vjet shumëçka ka ndryshu, mirëpo krimi nuk plaket, kriminelët do të vijnë një ditë para drejtësisë”.

“Drejtësia më mirë e vonuar se fare dhe të gjithë ata që mas 20 apo 30 viteve do t’i ikin drejtësisë e kanë gabim, sepse drejtësia do t’i zë një ditë dhe të gjithë do të japin përgjegjësinë për çdo krim”.

Të ngjashme