Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka publikuar raportin në lidhje me dyshimet për kontaminim të ujit në disa fshatra të Deçanit.
Nga analizat e bëra, IKSHPK ka nxjerrë disa konkluzione.
“Në lidhje me situatën e krijuar pas raportimit nga Drejtori i KRU “HIDRODRINI” në Pejë me datën 15.05.2022, se për shkak të reshjeve të mëdha të shiut ka pas disa dyshime për kontaminim të ujit në disa fshatra të komunës së Deçanit (Carrabreg, Prapaqan, Llukë e Ultë, Isniq, Prilep dhe Gramaqel), ekipi i QRSHP Pejë për disa ditë me rradhë ka dal në teren për marrje të mostrave të ujit për analizë fiziko kimike dhe bakteriologjike si dhe për hulumtim epidemiologjik (marrja e anketave epidemiologjike dhe mostrave të fecesit nga rastet e raportuara)”, thuhet në komunikatën e IKSHPK-së.
Këto janë rezultatet e nxjerrura nga IKSHPK:
Në të gjitha mostrat sasia e klorit është në kufi të normales 0.1 deri ne 0.3, dhe analizat fiziko kimike JANË BRENDA NORMATIVAVE, përveç mostrës së datës 15.05.2022 e marr në fshatin Isniq ku nuk ka pas klor pra 0.0.
Me datë 19.05.2022 kanë përfunduar analizat bakteriologjike të mostrave të marra nga të cilët vetëm dy mostra të datës 15.05.2022 kanë kontaminim bakterial ndërsa në datat tjera të gjitha mostrat e marra I PERGJIGJEN normativës së analizës bakteriologjike pra jane PA KONTAMINIM BAKTERIAL.
Në 7 mostrat e fecesit të marra me datë 18.05.2022 të gjitha kanë rezultuar NEGATIV në testin për Rotavirus dhe Adenovirus si dhe në ekzaminim mikroskopik për parazit, rezultatet preliminare të koprokulturës gjithashtu janë NEGATIVE edhe pse vazhdon rimbjellja edhe për 24 orët e ardhshme.
Me këtë rast, Instituti ka nxjerrë edhe disa rekomandime:
Të shtohet kontrolli i Inspektoratit Sanitar dhe Shëndetësor për ngritjen e nivelit të raportimit të rasteve dhe saktësin e të dhënave për pacientët.
Kompania ujore publike të përforcojë kontrollin dhe rregullisht të dezinfektojë ujin.
Ujësjellësi të furnizojë qytetarët me ujë higjienik për pije me orar normal për të pamundësuar kontaminimin dhe për të parandaluar epidemitë hidrike.
Ekipet e ujësjellësit rajonal të debllokojnë nyjet e kanalizimeve dhe të gjejnë pikat e dobëta në rrjet ku përzihet uji i ujësjellësit me kanalizim dhe gropa septike.
Të ndalohet dhe ndërpritet rreptësisht kyçja e puseve (bunarëve) në rrjetin e ujësjellësit.
Të aplikohet respektimi i zonave të sigurisë.
Të bëhet pastrimi me tretje hiperklorike i kaptazhave dhe rrjetit shpërndarës.
Të bëhet instalimi i klorizimit të vazhdueshëm.
Të realizohet monitorimi i sforcuar i ujit në të gjithë rajonin.
Të ofrohet ndihma e nevojshme për të gjithë pacientët e sëmurë.
Larja dhe dezinfektimi i shpeshtë e duarve dhe higjiena personale.
Kujdes i shtuar gjatë përgatitjes, konsumimit dhe ruajtjes së ushqimit.