Korporata Energjetike e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë procesit të rekrutimit për pozitat e manipuluesve të shiritave transportues, Departamenti i Burimeve Njerëzore ka pranuar një informatë nga jashtë lidhur me dyshimet për diploma të falsifikuara.
KEK-u tha se në përpjekje për t’i verifikuar këtu dyshime, ka dërguar për verifikim regjistrin për 471 kandidatë të cilët i janë nënshtruar procedurave të rekrutimit tek të gjitha institucionet arsimore që i kanë lëshuar diplomat.
“Pas kërkesës së KEK, të gjitha institucionet arsimore i janë përgjigjur pozitivisht dhe kanë realizuar verifikimin e diplomave. Nga ky verifikim, kanë dalë dyshime për një numër të caktuar kandidatësh që nuk i kanë diplomat në rregull. Si rezultat, të gjithë kandidatët, diplomat e të cilëve kanë shkaktuar dyshime, janë larguar menjëherë nga procesi i rekrutimit”, thuhet në reagimin e KEK-ut.
Më tej, në reagim thuhet se Zyra Ligjore e KEK-ut e ka përgatitur dosjen të cilën thanë se e kanë dorëzuar tek institucionet e drejtësisë, të cilat janë kompetente për trajtimin rasteve të kësaj natyre.