Policia e Kosovës ka nisur hetimet lidhur me një rast të dyshuar të abuzimit ndaj një të mituri, i cili dyshohet se është kontaktuar përmes rrjeteve sociale.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, bëri të ditur se rasti është raportuar më 15 dhjetor 2025, rreth orës 11:00, në stacionin policor të Fushë Kosovës.
Sipas policisë, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në territorin e Ferizajt. Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetim për veprën penale “Dhunimi”, ndërsa policia, në bashkëpunim me institucionet relevante, po punon intensivisht për identifikimin e të dyshuarit dhe sqarimin e plotë të rastit, duke garantuar konfidencialitetin dhe mbrojtjen e viktimës.
“Më datë 15.12.2025, rreth orës 11:00, policia e stacionit policor në Fushë Kosovë, ka pranuar informacionin lidhur me një rast të dyshuar të abuzimit ndaj një të mituri. Dyshimet e ngritura sugjerojnë se i mituri është kontaktuar përmes rrjeteve sociale dhe se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur diku në territorin e Ferizajt. Specialist të policisë për hetimin e rasteve të tilla, në bashkëpunim me institucionet relevante, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit. Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, gjithnjë duke garantuar konfidencialitetin dhe mbrojtjen e viktimës, policia ka iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Dhunimi”, përderisa po punohet intensivisht në identifikimin e të dyshuarit dhe përcaktimin e vendndodhjes së tij.”