Dyshohet për abuzim seksual të fëmijëve në qendrat e imigrantëve në SHBA

Prishtinë | 27 Shk 2019 | 18:20 | Nga Ekonomia Online

Sipas disa dokumenteve të publikuara nga qeveria amerikane, gati pesë mijë ankesa për abuzim seksual të fëmijëve të imigrantëve janë dorëzuar tek autoritetet përkatëse në katër vjetët e fundit.

Në këto ankesa përmenden marrëdhëniet e stafit amerikan me personat e mitur, shfaqja e materialeve pornografike dhe prekjet e dhunshme.

Dokumentet që dëshmojnë këto ankesa janë publikuar nga Departamenti për Shëndetësi dhe Shërbime Njerëzore. Raportet e publikuara i përkasin periudhës prej tetorit të vitit 2015 e tutje. Megjithatë, numri më i madh i ankesave është dorëzuar gjatë pushtetit të presidentit Donald Trump.

“Këto dokumente na dëshmojnë se kemi problem me personat e rritur dhe me punëtorët tanë, të cilët kanë kryer abuzime seksuale me fëmijë”, tha përfaqësuesi i demokratëve nga Florida, Ted Deutch.

Numri i përgjithshëm i ankesave për abuzim seksual gjatë vitit 2018 ishte 1261, 192 ankesa më shumë sesa gjatë vitit 2017. Prej tyre, 178 ankesa janë bërë kundër stafit të qendrave amerikane për imigrantët. Numri i ankesave për abuzime seksuale nga stafi ishte rritur nga 4 në shkurt të vitit të kaluar në 12 në korrik.

Raportet për abuzime seksuale të personave të mitur në qendrat e ndalimit nuk janë tragjedia e vetme që ka ndodhur në këto institucione. Dy fëmijë nga Guatemala kanë vdekur përderisa po mbaheshin të mbyllur në qendrat e ndalimit, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Të ngjashme