Dyshohet për një rast të virusit Ebola në Suedi

Prishtinë | 04 Jan 2019 | 16:33 | Nga Ekonomia Online

Një i ri është duke u trajtuar në izolim në spitalin universitar “Uppsala” të Suedisë pas dyshimeve për infektim me virusin e Ebolas, kanë njoftuar autoritetet rajonale. Pacientit i është bërë një test, ndërsa rezultatet e tij ende nuk janë publikuar.

Djaloshi kishte qenë më herët në Burundi dhe kishte qëndruar atje tri javë. Ai ka shfaqur simptoma klasike të temperaturës dhe vjelljes së gjakut. Klinika emergjente ku është pranuar së pari pacienti është mbyllur, ndërsa stafi që ka pasur kontakt me të janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore.

Virusi Ebola ishte përhapur me të madhe gjatë vitit të kaluar në Republikën Demokratike të Kongos, ku ishin shënuar 608 raste të infektimeve dhe 368 veta kishin humbur jetën. Përpjekjet për ta çrrënjosur sëmundjen janë penguar nga mungesa e vazhdueshme e sigurisë dhe stabilitetit.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shkalla e vdekshmërisë nga ky virus është nga 25 deri 90 për qind. Sëmundja përhapet mes njerëzve përmes kontaktit të afërt me lëngjet trupore të personit të infektuar.

Periudha kohore mes infektimit dhe shfaqjes së simptomave të këtij virusi është 21 ditë, që do të thotë se personat e infektuar mund të udhëtojnë në vende të ndryshme dhe statusi i tyre shëndetësor të mos dihet, shkruan “The Guardia”, transmeton Gazeta Express.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme