Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka njoftuar se gjatë veprimeve hetimore të zhvilluara të shtunën në komunën e Zubin Potokut është identifikuar një lokacion i ri i dyshuar, ku besohet se mund të ketë mbetje mortore.
Sipas komunikatës së përbashkët, lokacioni ndodhet në fshatin Jabukë dhe është identifikuar në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për rastin e varrezës masive në këtë zonë.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se, në përputhje me legjislacionin në fuqi, do t’i paraqesë Gjykatës Themelore në Prishtinë kërkesë për lejimin e zhvarrimit dhe kryerjen e ekzaminimeve të nevojshme.
Pas marrjes së autorizimeve nga gjykata, Prokuroria Speciale, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, do të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore në lokacionin e identifikuar.