Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e një rreshteri të Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Prizren, pas dyshimeve për tejkalim të autorizimeve policore.
Siç bëhet e ditur në njoftimin e IPK, ngjarja ka ndodhur në orët e mbrëmjes të së enjtes.
Hetimi është duke vazhduar ndaj rreshterit policor, por IPK bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tij me dyshimin për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës.
“Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur dje në orët e mbrëmjes kur policia kishin ndaluar fillimisht qytetarin/ankuesin për një kundërvajtje në qytetin e Prizrenit. Pas shqiptimit të dy tiketave për kundërvajtje qytetari ishte shoqëruar në stacionin policor në Prizren. Pas konsultimeve fillestare me prokurorin kompetent, hetuesit e IPK-së janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore duke dalë në vendin e ngjarjes si dhe kanë pranuar edhe raportet mjekësore lidhur me natyrën e lëndimeve trupore të ankuesit”, shkruhet në njoftim.