Një ndërtesë është përfshirë nga flakët, sot pasdite, në Bregun e Diellit.
Sikur shihet dhe në fotografitë e Ekonomia Online, zjarri ka djegur një banesë në katin përdhesë, në rrugën “Hyzri Talla”.
Sipas zëdhënëses së policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmetit, zjarri ka filluar rreth orës 13:50.
Ahmeti zyrtarisht tha se nuk dihet shkaktari i zjarrit.
Por, burime të Ekonomia Online tregojnë se një femër është duke u intervistuar si i dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme.
“Në këtë fazë nuk mund të thuhet se është e dyshuar”, tha Ahmeti për EO.
Ka pasur raportime se ka pasur të lënduar nga zjarri.
Por, Ahmeti saktësoi se vetëm iu është ofruar ndihma e parë për shkak të problemeve me frymëmarrje. “Tetë personave iu është dhënë oksigjen për shkak të asfiskimit nga tymi”, tha ajo.
Të gjithë banorët janë evakuuar nga ndërtesa.
Zjarrfikësit kanë dalë në vend të ngjarjes dhe tashmë e kanë shuar zjarrin. Sipas banorëve, reagimi ka qenë mjaft i shpejtë.