Dyshohet se autobusit nga Suedia iu ndalua hyrja në Kosovë

Prishtinë | 02 Gus 2024 | 08:34 | Nga Ekonomia Online

Bashkatdhetarëve nga Suedia nuk ju lejua të hyjnë ne vendin e tyre.

Ata gjatë rrugës për në Kosovë u ndalën në pikën kufitare në Jarinjë.
Pronari i agjencionit “Nal Buss”, Njazi Halimi tha se ju kërkua një leje për të kaluar në territorin e Kosovës.

Madje Halimi thotë që policia i kërkoi që të kthehet përsëri në Serbi, nga ku edhe kishte kaluar.

“Për mirëseardhje të bashkatdhetarëve të Kosovës sot kur erdhëm në doganë të Kosovës na thanë që NalBussi nuk ka licencë për me hy në Kosovë për shkak se duhet me pas licencë speciale me hy në Kosovë. Dhe na thanë që duhet me u kthy në Serbi edhe mi lanë udhëtarët mu organizu për me ardh në shtëpia të veta”, tha ai.

Me këtë licencë, Halimi tha se udhëton në krejt botën dhe nuk ka pasur probleme të tilla ndonjëherë.

“Nuk mujsha me kuptu unë çfarë licence, një agjencion i autobusëve të Suedisë me marr licencë të Kosovës. E dyta thanë nëse është vozitësi i lirë duhet çdo udhëtarë të kenë një kontratë ku kanë me jetu në Kosovë. Na nuk sjellim turista të huaj por i sjellim bashkatdhetarët tanë dhe secili banor jeton në shtëpia e veta”, u shpreh ai.

Agjencioni u gjobit me një gjobë prej 1000 euro.

Mirëpo Halimi kërkon që t’i mundësohet qarkullimi i autobusit pasi që të nesërmen do të niset për Suedi me 57 udhëtarë, të cilët i kanë kaluar pushimet në Kosovë.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se kjo është në kompetenca të Inspektoratit Policor të Kosovës, por këta të fundit nuk kanë kthyer përgjigje për teve1.

Të ngjashme