Një 42 vjeçar është arrestuar nga Policia Kufitare shqiptare këtë të hënë në Rinas, pasi iu sekuestruan sende me vlerë, aksesorë floriri dhe 14 ora dore të markave të shtrenjta.
Shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit kaluan në vijën e dytë për kontroll më të imtësishëm, bagazhet e shtetasit K. H.
Si rezultat i kontrollit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, aksesorë floriri (varëse, byzylykë, unaza dhe vëthë) dhe 14 ora dore të markave të shtrenjta, të dyshuara si të kontrabanduara, pasi 42-vjeçari nuk dispononte faturë të blerjes së këtyre sendeve.
Ai akuzohet për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.