Policia e Kosovës e ka arrestuar një person, që dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tij.
Sipas forcave të rendit, rasti ka ndodhur rreth orës 21:30 të së mërkurës, në një fshat të Ferizajt.
“Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë identifikuar personat e përfshirë. Gjatë veprimeve policore, nga i dyshuari 55 vjeç është sekuestruar një armë zjarri (pistoletë), së bashku me një karikator dhe tre fishekë. Nga hetimet fillestare dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje familjare, 55 vjeçari ka sulmuar bashkëshorten e tij, ndërsa pas ndërhyrejes, lëndime trupore ka pësuar edhe vajza e tij.”, thuhet në njoftim.
Palët e përfshira janë shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj, ku janë intervistuar nga njësia e hetimeve.
Sipas njoftimit, në konsultim me prokurorin e shtetit është iniciuar rasti për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ndërsa, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh.