Melissa Michelle Adamson, 33-vjeçe nga Colorado Springs është dënuar me 24 vite burgim, pasi djali i saj dyvjeçar qëlloi veten me revole duke menduar se ishte lodër.
Tragjedia ndodhi në tetor të vitit të kaluar, kurse gjatë seancës gjyqësore ajo ka pranuar fajin duke thënë se i biri i saj Loki Bloom vazhdimisht luante me revolen lodër që e mbushte me ujë nga e cila edhe shpesh e pinte ujin, transmeton Telegrafi.
Vogëlushi kishte gjetur revolen e të ëmës që ishte e mbushur, dhe pas disa sekondave aksidentalisht kishte shkrepur nga ajo duke e qëlluar veten për vdekje.
“Është një nga rastet më të rënda që ndonjëherë kam parë”, ka deklaruar gjykatësja Linda Billings-Wella e cila dënoi të ëmën që është e varur nga droga, me 12 vite burgim për keqtrajtim të vogëlushit si dhe 12 tjera për vepra të ndryshme.
Policia ka bërë të ditur se me të mbërritur në vendin e ngjarjes të ëmën e kishin gjetur duke e mbajtur në duar vogëlushin, por përkundër tentimeve për ta shpëtuar ai ndërroi jetë në spital.
Adamson gjithashtu ka pranuar se është duke u shëruar nga varësia e drogës, dhe se revolen e kishte mbushur me plumba pasi vazhdimisht kërcënohej me vdekje nga personi që e furnizonte me lëndë narkotike.
Por, policia kishte gjetur shiringa me drogë jo larg trupit të pajetë të vogëlushit.