Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pasi shefi i Grupit Parlamentar të VV’së, Rexhep Selimi, ka bërë të ditur se i është ngritur një aktakuzë nga Gjykata Speciale.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj është shprehur i bindur se Selimi do të dalë i pafajshëm.
“Nuk ka gjyq që mund ta vë në dyshim përpjekjen tonë për liri. Rexha do të dalë i pafajshëm sikurse gjithë të tjerët që pas aq shumë viteve iu duhet ta mbrojnë një epokë të historisë, e cila në fakt nuk ka nevojë për mbrojtje.Me çlirimtarët përgjithmonë e me besim në drejtësi”, ka shkruar Haradinaj.
Kur vetë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kishte marrë ftesë nga Gjykata Speciale për intervistim, kishte deklaruar se Rexhep Selimi ka kënduar para prokurorisë.
“Rexhep Selimi ka këndu para prokurorisë”, kishte thënë kryeministri në detyrë.
Për këto deklarime, kishte reaguar tutje edhe vetë Selimi.
Ai kishte thënë se deklarimin e Haradinajt nuk e ka pritur mirë dhe se ajo çka ka thënë kreu i AAK-së, nuk është e vërtetë.