Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Gjilan, e akuzuara për lëndim të rëndë trupor Q.B., deklaroi se zënka me të dëmtuarin H.M., nisi për shkaqe xhelozie.
E akuzuara B., ngarkohet se për shkak të një mosmarrëveshjeje verbale për motive xhelozie me të dëmtuarin H.M, janë fjalosur mes vete dhe ajo e ka goditur me grushte dhe e ka shtyrë nga vetura, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Q.B., fillimisht u deklarua e pafajshme për veprën që i vihet në barrë, ndërsa tha se në ditën kritike, ishte i dëmtuari ai i cili kishte tentuar që të dilnin bashkë, e që më pas ishin takuar.
E akuzuara tha se i dëmtuari gjatë rrugës i kishte thënë se nuk ndjehet mirë dhe se kishte kërkuar që të hynin në një motel për të pushuar, ku kishin qëndruar vetëm 15 minuta dhe kishin dalë nga aty.
“Më pas, më tha se kush është një polic që je në lidhje me të, që nga këtu ka filluar konflikti mes nesh”, shtoi ajo teksa tregoi se zënka kishte filluar për shkaqe xhelozie.
E njëjta tha se në një moment, i dëmtuari ia kishte lëvizur timonin, duke i thënë “unë me dashtë e thej krejt veturën, ti ke marrë në rent, ti e pagun”.
Zënka mes tyre, e akuzuara tha se kishte vazhduar dhe se i dëmtuari vazhdimisht e kishte penguar gjatë vozitjes dhe në përleshje e sipër ai e kishte hapur derën dhe kishte kërcyer, duke i thënë “Unë i dekt, ti në burg”.
Q.B tha se është kthyer dhe se i ka treguar policëve se ajo kishte qenë në veturë me të dëmtuarin, e që më pas ata e kishin marrë atë në stacion policor.
Në seancën e së mërkurës, paraprakisht u bë administrimi i provave dhe dëshmoi dëshmitari D.K., i cili tha se derisa ishte duke ardhë nga Prishtina, e kishte parë një person të shtrirë në rrugë.
“Në ditën kritike kam qenë duke ardhur prej Prishtinës pas orës 23:00, unë kam qenë pasagjer në veturën e një shokut tim”, tha ai, duke shtuar se në shiritin e djathtë të lëvizjes në rrugë, e kishin parë të shtrirë një person.
Ai tha se pesë minuta pasi ishin ndalur pranë personit në fjalë i cili kishte qenë pa vetëdije, kishte ardhë Policia.
“Jemi ndalur dhe kemi kontrolluar a është gjallë personi dhe ia kam fshirë gjakun e fytyrës me maicën time, ku pas 5 minutave kanë ardhur policia. Kur kanë ardhur policia personit i ka ardhur vetëdija pasi që deri atëherë kishte qenë pa vetëdije”, deklaroi D.K.
Dëshmitari shtoi se pas ndihmës së tyre, kishin shkuar edhe vetura tjera dhe ishin grumbulluar edhe njerëz tjerë.
Meqenëse prokurorja Leonora Kadriu ishte e angazhuar me një seancë tjetër, kjo seancë u ndërpre.
Gjyqtarja e rastit Luljeta Shabani seancën e radhës e caktoi më 21 shtator 2023, ku pritet të jepet fjala përfundimtare nga palët në procedurë.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 9 shkurt 2022 nga Prokuroria Themelore në Gjilan, e akuzuara Q.B., më 18 nëntor 2021, me dashje dhe me qëllim të dëmtimit të integritetit trupor të të dëmtuarit H.M., i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore atij.
Aktakuza thotë se pasi që dalin nga një motel dhe hyjnë në veturë, për shkak të një mosmarrëveshjeje verbale, për motive xhelozie fillojnë të fjalosen mes vete, me ç’rast e pandehura e godet me grusht në nofull dhe derisa i dëmtuari mbrohet duke u kapur me duar në mbajtësen e veturës, e pandehura përsëri e godet me grushte në kokë.
Më pas, aktakuza thotë se i dëmtuari hapë derën e veturës dhe e pandehura e shtyn me forcë dhe e hudh jashtë në asfalt duke e lënduar rëndë dhe në atë gjendje të shtrirë në asfalt dhe pa ndjenja e lë dhe ikën nga vendi ngjarjes.
Mirëpo, sipas aktakuzës, një qytetar e kishte lajmëruar Policinë dhe ndihmën e shpejtë, ku i dëmtuari pas ofrimit të tretmanit mjekësor në Emergjencë, ishte dërguar me urgjencë në QKUK në Prishtinë, me ç’rast tek i njëjti ishin evidentuar lëndime të rënda trupore në formë të plagës çarëse – shqyrëse të indeve të buta në regjionin e mbivetullës së majtë të fytyrës dhe në regjionin e nofullës së poshtme të anës së majtë të fytyrës, tronditje trunore dhe thyerje kockave të mollëzës dhe nofullës së sipërme të anës së majtë të fytyrës, që sipas ekspertizës mjeko-ligjore konstatohen si dëmtime të rënda trupore.
Me këtë, e akuzuara ngarkohet se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” nga neni 186, paragrafi 2, nënparagrafi 2.1 të Kodit Penal.