E argjendta në Paris, dëshmi që Distria ka prekur kulmin

Prishtinë | 11 Shk 2019 | 08:37 | Nga Ekonomia Online

Me paraqitje impresive deri në finale, Distria Krasniqi ka tejkaluar suksesin që në dy vjetët e kaluar e kishte arritur në Grand Slam të Parisit, garën më të famshme të xhudos. Në vitet 2017 e 2018, duke garuar në kategorinë deri 52 kilogramë, xhudistja pejane kishte fituar medalje të bronzta, shkruan sot “Koha Ditore”.

Të shtunën Distria garoi në kategorinë deri 48 kilogramë dhe bëri hapin para – fitoi medaljen e argjendtë në Paris. Në finale, që u zhvillua para rreth 15 mijë shikuesve, pësoi nga japonezja Ami Kondo. Kondon e kishte mposhtur në Mastersin e zhvilluar në Guangzhou të Kinës më 15 dhjetor, ndërsa prej saj e ka një humbje edhe në Grand Slam të Tokios në vitin 2015.

Japonezja Kondo e zuri të papërgatitur në një moment Distrinë dhe realizoi hedhje për “Ippon”. Por Distria, 23-vjeçare, është e kënaqur me vendin e dytë dhe me paraqitjen në Paris.

Me medaljen e së shtunës, Distria ka vazhduar rritjen si garuese. Ka kohë që ajo është xhudiste elitare botërore, ndërsa e argjendta në Paris vetëm e dëshmon këtë. Për Distrinë gara e Parisit ishte e para për këtë vit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme