Distria Krasniqi mundësoi fillim të furishëm të Kosovës në garën që shënon rikthimin e ngjarjeve të mëdha të xhudos. Loriana Kuka mundësoi përfundim të suksesshëm të saj.
Ndonëse jo me shkëlqim ari, medalja e fituar të dielën nga Loriana Kuka vlerësohet me shumë peshë. Ajo fitoi medaljen e bronztë në kategorinë deri 78 kilogramë. Distria të premten kishte fituar të artën në kategorinë deri 48 kilogramë.
Dy medalje vlerësohet bilanc shumë i mirë i Kosovës në Grand Slamin e Budapestit, që të dielën përfundoi në kryeqendrën e Hungarisë. Është gara e parë e Turit Botëror të Xhudos që nga muaji shkurt. Për shkak të pandemisë, garat e xhudos nuk janë mbajtur për kohë të gjatë, shkruan Koha.
Kosova kishte fituar medalje në Grand Slamin e Parisit në muajin shkurt dhe këtë fundjavë e vazhdoi aty ku e la – me medalje.
Loriana Kuka, që tashmë vlerësohet pretendente serioze për medalje, ka pasur një ditë të mirë të dielën. Ishte kandidate edhe për të artën, por një moment pakujdesie e mbajti jashtë finales.