Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë ka zhvilluar një bisedë online me anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe atyre të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), të cilëve u ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do t’i qëndrojnë në krah atyre dhe reformës në drejtësi. Kim është shprehur se është në dijeni të sulmeve që i bëhen anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Ambasadorja i ka kërkuar të qëndrojnë të fortë.
Fjala e Kim:
Sh.B.A mbështet reformën në drejtësi në Shqipëri, siç e dini, dhe qëllimet tuaja gjithashtu. Mbështetja jonë është e fortë dhe do të mbetet e tillë. Dhe unë jam personalisht e përkushtuar si përfaqësuesja e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të bëjë gjithçka që mundem për të mbështetur ristrukturimin e Gjykatës së Lartë, në mënyrë që të hidhet një gur tjetër për të arritur objektiva më të gjera.
Unë i bëj thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor që t’i thërrasë ndienjës së përgjegjësisë dhe angazhimit për të rivene ne pune Gjykatën e Lartë.
Më lejoni të them se nuk ka të mohuar që reforma në drejtësi është në fazë kritike.
Ju luani një rol shumë të rëndësishëm. Mbaj mend kur u takuam shumë muaj më parë në Ambasadë, kur erdha për herë të parë në Shqipëri. Ne patëm një diskutim të mirë dhe mendoj se në atë kontekst, unë mund t’ju quaja heronjtë e Shqipërisë.
Dhe është e vërtetë. Por heroizmi nuk është i lehtë, kërkon sakrificë, kërkon vendime të guximshme, nganjëherë kërkon të mos jesh i deshiruar dhe popullor, dhe kërkon aftësinë për t’i rezistuar presionit dhe sulmit.
E di që po sulmoheni. E di.
Shpresoj të qëndroni të fortë.
Sepse ky është një moment vërtet i rëndësishëm.
Nëse i nënshtroheni presionit tani, nëse vendosni të mos bëni gjënë e duhur sepse është më lehtë të shmangni konfliktin, atëherë nuk do të jeni heronj, nuk do të nderoheni.
Unë mund t’ju garantoj për këtë.
Por nëse ju bëni gjënë e duhur në këtë moment shumë të rëndësishëm, njerëzit do t’ju kujtojnë, unë do t’ju kujtoj, SH.B.A. do t’ju kujtojë ato që keni bërë në këtë moment shumë, shumë të rëndësishëm.