E djathta në Serbi proteston kundër marrëveshjes me Kosovën

Prishtinë | 23 Pri 2023 | 11:26 | Nga Ekonomia Online

Mbështetësit e katër partive të krahut të djathtë u mblodhën më 22 prill në Novi Sad të Serbisë, duke kërkuar anulimin e një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe dorëheqjen e zyrtarëve në Serbi.

Tubimi, në të cilin morën pjesë disa qindra qytetarë, u thirr nga partitë parlamentare: Partia e Re Demokratike, Dveri, Zavetnici dhe Lëvizja për Ringjalljen e Mbretërisë së Serbisë.

Protestuesit bënë thirrje për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në të gjitha nivelet.

Ata mbanin flamuj të Serbisë dhe flamuj tradicionalë të Vojvodinës, ndërsa u panë edhe disa flamuj rusë.

Në pankartat e tyre lexohej: “Sot Kosova, nesër Vojvodina” dhe “Vuçiq, dorëheqje” – duke iu drejtuar presidentit të Serbisë.

Më 18 mars në Ohër, udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë u pajtuan për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve, e cila u arrit gojarisht në fund të shkurtit.

Kjo marrëveshje nuk parasheh njohje të ndërsjellë midis dy vendeve, por kërkon nga to që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

Marrëveshja, po ashtu, u kërkon palëve që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila shpesh është bërë shkas i përplasjeve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Partitë e krahut të djathtë në Serbi kundërshtojnë çdo dialog me Kosovën dhe kanë organizuar një tubim të ngjashëm edhe në Beograd, në muajin mars.

Të ngjashme