Qëndrim Vatës do t’i kushtojë shtrenjtë një postim që e kishte bërë mbrëmë duke e fyer Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Federata e Futbollit të Kosovës ka vendosur ta ndëshkojë gjyqtarin kosovar për postimin e bërë në rrjetet sociale.
“Komisioni i Gjyqtarëve të Federatës së Futbollit të Kosovës, në bazë të kodeksit të mirësjelljes për të gjithë anëtarët e FFK-së, e ku janë të përfshirë edhe gjyqtarët, ka vendosur masën e pezullimit për gjyqtarin Qendrim Vata, për shkak të deklaratës së tij në rrjetet sociale, me ç’rast ka bërë ofendim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Njëherësh Komisioni i Gjyqtarëve lëndën e këtij rasti e delegon tek Komisioni Disiplinor i FFK-së, ku do të kërkohet edhe deklaratat e të lartpërmendurit”, shkruan në njoftimin e kryetarit të Komisionit të Gjyqtarëve, Përparim Hasani.
Komisioni i Gjyqtarëve ndërkohë iu bën thirrje të gjithë gjyqtarëve që të mos shprehin qëndrime politike, e aq më pak të shprehen në forma të tilla ofenduese për cilindo politikan apo institucion, duke shtuar se sporti është vetëm sport.