E goditur nga mungesa e vaksinave, BE-ja kthen sytë kah India për furnizime

Prishtinë | 01 Pri 2021 | 19:46 | Nga Ekonomia Online

Bashkimi Evropian i ka kërkuar Indisë që t’ia lejojë blerjen e 10 milionë dozave të vaksinës kundër COVID-19 të kompanisë “AstraZeneca” nga Instituti indian i Serumeve, në një shenjë të presionit të shtuar mbi Delhin për shpërndarjen drejt shteteve të tjera të sasive më të shumta të vaksinave që prodhohen në vend.

BE-ja synon që me dozat nga Instituti i Serumeve, i cili njëherësh është prodhuesi më i madh në botë i vaksinave, të mbulohet mungesa e theksueshme në dërgesa nga fabrikat evropiane të “AstraZenecas” dhe të përshpejtohet procesi i vaksinimit përbrenda bllokut, ka thënë zyrtari i lartë në Bruksel, duke folur për agjencinë e lajmeve Reuters.

Megjithëkëtë, nuk pritet ndonjë miratim i shpejtë i kërkesës së BE-së, pasi që India është duke u përpjekur që ta zgjerojë procesin e saj të vaksinimit, ka bërë të ditur një zyrtar i Qeverisë indiane, i cili ka kërkuar që të mos i bëhet i ditur identiteti.

Britania e Madhe është gjithashtu duke ushtruar presion mbi Indinë për shpërndarjen e gjysmës së dytë të 10 milionë dozave, që vendi i ka porositur nga Instituti, ka bërë të ditur burimi.

Ky institut i Serumeve fillimisht supozohej që t’i prodhonte vaksinat e “AstraZenecas” vetëm për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

“Ambasadori i BE-së ka shkruar një letër, në të cilën thuhet, ju lutem na ofroni miratimin (për shpërndarje)”, ka thënë burimi, duke shtuar se letra është adresuar rreth dy javë më parë.

Instituti i Serumeve, “AstraZeneca” dhe Ministria e Jashtme indiane nuk u janë përgjigjur kërkesave të mediave për ta komentuar rastin. Një zëdhënës i Komisionit Evropian ka bërë të ditur se ky trup nuk kishte ndonjë koment.

India, megjithëkëtë, ka bërë të ditur se tani është e përqendruar në zgjerimin e vetë fushatës së saj të imunizimit, pasi që numri i pacientëve të prekur nga COVID-19 në vend është rritur theksueshëm gjatë muajit maj. Vendimi i vendit për t’u fokusuar kah nevojat e brendshme, pasi që Qeveria është kritikuar për dërgimin e dhjetëra miliona dozave jashtë vendit, do të ndikojë gjithashtu në rrjetin global të OBSH-së për shpërndarjen e vaksinave, të njohur si COVAX. Ky rrjet synon që t’u sigurojë vaksina kundër COVID-19 fillimisht me dhjetëra shteteve më të varfra.

Telashet në prodhim kanë ngadalësuar vaksinimin për 450 milionë qytetarët e 27 vendeve anëtare të BE-së. Imunizimi për kokë banori në bllok ngec dukshëm prapa shteteve të tjera, si Izraeli, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

India deri më tani ka shpërndarë 64 milionë doza të vaksinave në 83 shtete të botës, ndërsa ka administruar shifër të njëjtë të dozave në vend.

Deri më tani, India ka raportuar për gjithsej 12.22 milionë të infektuar me koronavirus, shifër kjo e treta më e lartë në botë pas SHBA-së dhe Brazilit. Vendi ka regjistruar gjithashtu afro 163.000 vdekje të ndërlidhura me sëmundjen COVID-19.

Të ngjashme