E hëna në Skenderaj ditë pune

Prishtinë | 29 Nën 2020 | 16:46 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka njoftuar se nesër do të jetë ditë pune për shkollat dhe institucionet komunale.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se vendimet e institucioneve duhet të respektohen nga të gjithë.

Jashari ka thënë se pas ditëve të humbura të mësimit si shkak i gjendjes pandemike, edhe një ditë e humbur është e paarsyeshme dhe nuk ka nevojë të ndodhë.

“Populli ynë ka vuajtur aq shumë për të ruajtur arsimin dhe edukimin shqip, duke mos u ndalur as në kohë lufte, duke zhvilluar procesin mësimor edhe në shtëpi-shkolla, vetëm e vetëm që të mësojmë̈ e edukojmë gjeneratat e reja, kurse tani të lirë e të pavarur duhet të mos ndalemi e dorëzohemi, por të punojmë shumë që të jetësojmë amanetin e heronjve dhe dëshmorëve të Lirisë. Andaj të dashur mësimdhënës kërkoj mirëkuptimin tuaj që nesër të mbani mësimin dhe përveç̧ tjerash t’u shpjegoni fëmijëve tonë se sa e lavdishme është historia jonë kombëtare”, ka shkruar ai.

Kryeministri Avdullah Hoti ka njoftuar se e hëna nuk do të jetë ditë pushimi, por një vendim të tillë e ka kundërshtuar Sindikata e Bashkuar e Arsimit.

Të ngjashme