Një nga pesë të dyshuarit për dhunimin e 11-vjeçares ka qenë shtatë herë në burg gjatë viteve të fundit.
Ekrem Rexhepi, një prej të dyshuarve për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë, po del të ketë pasur punë me organet e rendit shumë herë gjatë viteve të fundit.
Nga viti 2007 e deri në vitin 2022, 26-vjeçari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje shtatë herë.
Këto informacione i kanë konfirmuar për Express nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Zëdhënësi i SHKK-së, Florent Gashi, ka dhënë detaje për veprat për të cilat ka qenë në mbajtje Rexhepi dhe ditët që i ka kaluar në burg.
Në vitin 2007, Rexhepi është mbajtur në Qendrën Korrektuese në Lipjan për katër ditë, për veprën penale “Aksident Trafiku”.
Atje ishte kthyer sërish pas gjashtë vjetësh, por për një vepër tjetër. I riu ishte mbajtur në këtë qendër për 2 muaj e 29 ditë për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.
Katër vite më vonë, ai ishte dërguar në mbajtje për veprën penale “Vjedhje Grabitqare”, ku kishte qëndruar 136 ditë.
“Ka qenë në Qendrën Korrektuese Lipjan nga data 12.07.2007 deri me 16.07.2007 për Veprën Aksident Trafiku dhe në këtë institucion ka qëndruar 4 ditë. Ka qenë në Qendrën Korrektuese Lipjan nga data 23.05.2013 deri me 21.08.2013 për Veprën Vjedhje e rëndë në tentative dhe në këtë institucion ka qëndruar 2 muaj e 29 ditë. Ka qenë në Qendrën Korrektuese Lipjan nga data 22.12.2017 deri me 07.05.2018 për Veprën Vjedhje Grabitqare dhe në këtë institucion ka qëndruar 136 ditë”, ka deklaruar Gashi.
Dy muaj pas lirimit, ai ishte dërguar sërish në mbajtje për të njëjtën vepër, ku ishte mbajtur 56 ditë.
Veprën penale “Vjedhje Grabitqare”, Rexhepi e kishte kryer sërish pas tre muajsh. Ishte dërguar sërish në Qendrën Korrektuese në Lipjan, ku kishte qëndruar 21 ditë.
Dy vjet pas lirimit, 26-vjeçari ishte kapur sërish duke vjedhur. Për këtë vepër, ai ishte mbajtur në paraburgim katër ditë në Prishtinë.
Veprën e fundit penale, para dyshimit për dhunim, Rexhepi e ka kryer në janar të këtij viti.
Këtë herë, për vjedhje të pyllit, vepër për të cilën kishte qëndruar në Qendrën e Paraburgimit në Smrekonicë për 31 ditë.
“Ka qenë në Qendrën Korrektuese Lipjan nga data 19.10.2018 deri me 09.11.2018 për Veprën Vjedhje Grabitqare dhe në këtë institucion ka qëndruar 21 ditë. Ka qenë në Qendrën e Paraburgimit Prishtinë nga Data 09.03.2020 deri me 13.03.2020 për Veprën Vjedhje dhe në këtë institucion ka qëndruar 4 ditë.Ka qenë në Qendrën Korrektuese Smrekonicë nga Data 28.01.2022 deri me 28.02.2022 për veprën Vjedhje dhe Vjedhje e pyllit dhe në këtë institucion ka qëndruar 31 ditë. I njëjti nga 28.08.2022 është në Qendrën e Paraburgimit Prishtinë, i dyshuar për veprën aktuale dhunim”.
Pas këtij rasti, ka dhënë dorëheqje Drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, Ali Gashi.
Në një prononcim për Gazetën Express, Gashi dhënë se dorëheqja e tij është akt moral, meqë s’po arrijnë t’i riedukojnë dhe risocializojnë të burgosurit.
“Ai ka qenë një kohë, kështu kohë pas kohe, për grabitje, për vjedhje në burg edhe unë kam qenë Drejtor për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve. Është akt moral, pasi që nuk po arrijmë të burgosurit t’i riedukojmë dhe t’i risocializojmë, edhe rasti më ka prek edhe mua shumë, ashtu siç i ka prek gjithë kosovarët edhe prandaj kam dhënë dorëheqje nga pozita e Drejtorit të Drejtoratit për Trajtimit e të Burgosurve dhe të Miturve”, ka thënë Gashi.
Përveç Rexhepit, si të dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares, ndodhen në paraburgim edhe katër persona të tjerë, tre prej të cilëve të mitur.
Sipas dosjes së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, të cilën e posedon Gazeta Express, dhunimi ka nisur të shtunën në parkun në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, për të vazhduar në një lokacion tjetër të panjohur.
Aty përshkruhen detaje tronditëse për rastin.
Sipas prokurorisë, i pandehuri E.R, 26-vjeç, ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e të dëmtuarës, “në atë mënyrë që të pandehurin fillimisht e kishte thirrur në telefon vëllai i tij, i mitur., pastaj i pandehuri ka shkuar me “Pickup” tek parku në lagjen “Arbëria” në Prishtinë dhe e ka marrë me veturë vëllain e tij dhe të dyshuarit Xh.S., dhe G.J., të cilët ndodhen në arrati dhe të dëmtuarën. Pastaj rrugës tek varrezat kanë zbritur i mituri dhe, dhe Zh.S., ndërsa i pandehuri së bashku me G.J,.dhe të dëmtuarën janë larguar me veturë, ashtu që pas pak E.R., ka ndaluar veturën në një vend të panjohur dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën. Edhe pse e ka ditë që e dëmtuara është nën 14-vjeç”, përshkruhet në kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj tij.
Aty shkruan se nga deklarata e të miturës dhënë në polici me datën 28.08.2022 rezulton se “përderisa e mitura ka qenë në park, i janë afruar tre persona, ku kanë filluar ta ngacmojnë me fjalë, ku e dëmtuara ka vazhduar të ecë por më pas njëri ka filluar edhe ta prekte”.
“Më pas të njëjtit, sipas viktimës, kanë vazhduar që ta ndiqnin dhe njëri nga ta e ka tërhequr me një qosh dhe të dy kanë filluar t’ia heqnin rrobat. Personi me maicë të bardhë ia ka kapur duart ndërsa perosni tjetër ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj. Kur e dëmtuara ka filluar të bërtasë ata ia kanë mbyllur gojën dhe marrëdhënia ka ndodhur në këmbë. E dëmtuara ka deklaruar që pasi ka përfunduar njëri marrëdhënien e ka filluar tjetri” thuhet në përshkrimin e rastit që ka bërë prokuroria. Më pas sipas saj, ka ardhë një automjet “pickup” ku dy persona janë ulur mbrapa dhe viktima përpara.
Ajo ka deklaruar se edhe shoferi i veturës ka kryer marrëdhënie me të.