Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu iu përmend moszbardhja e rastit të vdekjes në burg të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari më 5 nëntor 2016.
Kur e mori fjalën për të folur për punët që tha se janë bërë në dikasterin të cilin ajo e udhëheq, Haxhiu zgjodhi të drejtonte akuza të ashpra ndaj opozitës.
“Fillimisht ju jeni angazhu për me e vra një aktivist politik në burg”, tha Haxhiu.
“Dëshmoje”, “Marre”, u dëgjuan thirrjet nga disa deputetë që reaguan nga ulëset e tyre, ndërsa ministrja vazhdoi nga foltorja: “E pastaj jeni përpjekë që Vetëvendosjen me e shpallë organizatë terroriste…”.
“Ky është qëllimi që e keni pasë. Me e vra një aktivist politik në burg, që u mor në burg pa asnjë provë, dhe pastaj me e shpallë Vetëvendosjen si organizatë terroriste”, tha ajo.
Në akuzat e tjera të saj, ajo e përmendi specifikisht shefin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, i cili nuk hezitoi t’i reagonte.
“Ministre, për besë më bëre me u ndje goxha mirë. 10 minuta prej fjalimeve tua të fundit në këtë Kuvend, për me folë për 4 vjet të arritura, m’i kushtove mua”, tha ai.
Në kundërreplikë, Haxhiu tha se s’mjafton koha për t’i përmendur të gjitha punët e mira që tha se janë bërë nga Ministria e Drejtësisë.
“Të ftoj me i lexu të gjitha punët e mira që Ministria i ka bërë”, tha ajo, ndërsa mbante në dorë disa dokumente.