Çdo ditë e më tepër ndjejmë se ne, qeniet sociale trysnohemi për të mos qenë “të tillë”. Në njëfarë mënyre nuk na lejohet të jemi unikë, siç pretendohet se jemi. Të gjithë kemi nga një pajisje elektronike në duart tona, përdorim minimumi të paktën një rrjet social, e ky i fundit merr nga ne një element shumë të rëndësishëm, të pakthyeshëm, që quhet kohë.
Fundja kujt do t’i duhej një trup pa shpirt?!
Një strukturë e pambushur që përfshin skeletin e një individi të paplotësuar me elemente si përqendrimi e përkushtimi ndaj atyre që ka “këtu dhe tani”. Si mund të jetë i lumtur një individ kur çdo energji dhe përpjekje e konsumon në dobi të njëjtësimit me masën, kur ekziston vetëm një model i së bukurës. Kur kjo e bukur ka prirjen të shihet si e mira më e madhe e mundshme e gjithë shoqërisë.
Frymojmë pa variacion, pa mundësi zgjedhje, pa e pyetur veten “Si ndihemi më këtë mënyrë jetese?” Jemi shndërruar në qenie te izoluara, të veçuara, secili në dritaren e vet individuale që përfshin rrezen e kufizuar të interesave. Kjo dëshirë për të qenë të pëlqyeshëm, ka krijuar një uniformë, që secili nga ne duhet ta veshë për t’u ndjerë i pranuar. Si pasojë ky uniformitet ka sjellë humbjen e interesit për aktivitete të çfarëdo lloji e natyre, ka minimizuar në ekstrem kënaqësinë që marrim nga gjithçka që bëjmë. Fjalët e shprehura bashkëlidhur me gjuhën e trupit përngjasojnë me rëndësinë që ka praktika në mbështetje të teorisë. Por, edhe këtë mundësi, komunikimi virtual na i mohon. Na mbush përplot paqartësi, pyetje, iluzione, të cilat ne kemi mundësi t’i krijojmë (sipas qasjes sonë individuale), t’i formësojmë e me shumë vështirësi t’i zhbëjmë.
Komunikimi social po shkatërrohet në çdo qelizë, rregullat gramatikore pothuaj nuk vendosen në përdorim, fjalët me shkurtime kanë zaptuar trurin tonë. Nivelet e leximit kanë rënë ndjeshëm (parë kjo në shumë prej studimeve të viteve të fundit). Shohim një lidhje të pashmangshme, jetike, shkak-pasojë; lexim i pakët, i barabartë me frymëzim të ulët.
Përfundimi?! -Varfërim i fjalorit, mungesë përqendrimi, mungesë interesi, shkëputje, izolim, veçim. Kufiri mes të dobishmes dhe të padobishmes është tepër i hollë. Gjithçka mund të jetë e dobishme dhe frytdhënëse n.q.s jemi të aftë ta përdorim në favorin tonë.