Shyhrete Tahiri-Sylejmani e mbijetuar e dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë, thotë se për ish-rezervistin e policisë serbe, Zoran Vutkoviq sot nis një epokë e re në qeli, raporton Ekonomia Online.
Vutkoviq u dënua me 10 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për kryerjen e veprës penale të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
“Sot është një ditë dhe epokë e re për të gjithë ne të mbijetuarit e luftës. Prej emocioneve që kam sot edhe fjalët më janë tretë”.
“Sot fillon epoka dhe drejtësia për shpirtin tonë dhe mund të them lirshëm se edhe krimineli që është në qeli edhe për të do të fillojë një epokë e re”, u shpreh Tahiri-Sylejmani.
Po ashtu, ditë historike dhe triumf i drejtësisë ndaj krimeve serbe të kryera gjatë luftës në Kosovë u cilësua dënimi i Zoran Vukotiqit për krime lufte kundër popullatës civile, përkatësisht dhunim seksual ndaj gruaje shqiptare në komunën e Vushtrrisë nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.
Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë kundër Vukotiqit në mars të vitit 2020.
Sipas njoftimit te Prokurorisë, Vukotiq “më 22 maj 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, në territorin e komunës së Vushtrrisë, ka marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre si dhe, me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, ka kryer dhunim seksual, si pjesë e një sulmi të gjerë dhe sistematik ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar”.
LEXO EDHE: