E mbijetuara nga aksidenti në Ferizaj mbetet në gjendje të rëndë

Prishtinë | 07 Qer 2021 | 20:44 | Nga Ekonomia Online

Gjendja e anëtares tjetër të familjes Ramadani e aksidentuar dje, mbetet e rëndë.

Aksidenti i rëndë i trafikut ia mori jetën edhe 12-vjeçarit Ylli Ramadani nga Shtimja.

Nxënësi që humbi jetën bashkë me anëtarët tjerë të familjes sot u kujtua edhe nga shokët e klasës.

Humbjen e nxënësit të tij po e përjeton rëndë edhe drejtori i shkollës “Emin Duraku” në Shtime.

Drejtori thotë se Ylli ishte nxënës shembullor, derisa në nderim të tij sot janë pezulluar të gjitha aktivitetet në shkollë.

“Mësuesja më tha se Ylli ishte ndër nxënësit e rrallë që nuk është dashur t’i tërhiqet vëmendja asnjëherë”, rrëfen Fidan Shaqiri për RTV Dukagjinin.

Në gjendje të rëndë është edhe anëtarja e pestë e familjes Ramadani.

Ajo është duke u trajtuar në QKUK derisa është në gjendje kome.

“Gjendja e pacientes vazhdon të jetë e rëndë. Ende është në frymëmarrje të asistuar. Në përgjithësi është gjendje e rëndë. Ka pësuar lëndime të rënda trupore. Kemi bërë ri ekzaminimin e saj dhe nuk ka ndonjë ndryshim të gjendjes nga dita e djeshme”, deklaroi doktoresha Krenare Makolli.

Me vendim të kryetarit të Shtimes, Naim Ismajli dita e hënë në këtë komunë është shpallur ditë zie.

Të ngjashme