E mitura nga Gjakova u dhunua derisa ishte e dehur, aktakuzë ndaj të dyshuarit

Prishtinë | 21 Tet 2021 | 13:53 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore e Gjakovës ka ngritur aktakuzë kundër K.N., i cili në muajin gusht të këtij viti, ka dhunuar një vajzë të mitur.

Në njoftimi e Prokurorisë bëhet e ditur se i pandehuri, në shtëpinë e tij, e kishte detyruar të miturën të kryejë marrëdhënie seksuale.

“Prokuroria njofton se,  më 30 gusht 2021, në Komunën e Gjakovës, konkretisht në shtëpinë e tij, i pandehuri K.N., e ka detyruar personin tjetër, të dëmtuarën e mitur E.A., për të kryer akt seksual pa pëlqimin e saj”, ka bërë të ditur Prokuroria.

E mitura ishte e dehur, ndërkaq në momëntin kur është këndellur nga alkooli, kishte vërejtur se është e zhveshur.

“E dëmtuara, edhe pse nuk kishte refuzuar të shkonte me të pandehurin në shtëpinë e tij, e njëjta ishte nën ndikimin e alkoolit, ku kishte konsumuar paraprakisht në një lokal, aty edhe ku ishte njoftuar me të pandehurin. Pasi ishte kthjellur nga alkooli, e kishte vërejtur vetën të zhveshur në pjesën e poshtme të trupit, e po ashtu i kishte vërejtur edhe lëndimet, të përshkruara sipas raportit të ekzaminimit klinik mjekoligjor”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ndryshe, e mitura nga Gjakova ishte shpallur e zhdukur më 26 gusht të këtij viti, ndërkaq më 31 ishte paraqitur në stacionin policor ku edhe ka deklaruar se ka qenë e dhunuar nga i dyshuari.

“PERSON I ZHDUKUR – I GJETUR/DHUNIM /Gjakovë 26.08.2021 – 00:05. Më 31.08.2021 është paraqitur në stacion viktima femër kosovare që ishte raportuar e zhdukur dhe e njëjta ka deklaruar se ka qenë e dhunuar nga i dyshuari kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Rasti në hetime”, kishte raportuar policia.

Të ngjashme