E përzgjedhura e Sllovenisë për Komisionerin e ardhshëm të BE-së, Marta Kos ka reaguar ndaj akuzave për lidhje me shërbimet sekrete ish-jugosllave të ngritura nga kreu i delegacionit të Partisë Popullore Evropiane (EPP) të Sllovenisë në Parlamentin Evropian.
Eurodeputetja e EPP, Romana Tomc tha për “Euronews” se Marta Kos është “plotësisht e papranueshme” dhe “problematike” për EPP, grupi më i madh në Parlament, duke përmendur përvojën e Kosit dhe lidhjet e pretenduara me policinë sekrete të ish-Jugosllavisë.
“Këto akuza u shfaqën fillimisht kur shpalla kandidaturën time për presidencën e Republikës së Sllovenisë në vitin 2022 me qëllim që të më diskreditonin”, u përgjigj Kos në një deklaratë me shkrim për “Euronews”.
“Para se të bëhesha ambasadore në Gjermani dhe Zvicër, u kontrollova nga shërbimet e sigurisë në të dy vendet; mora miratimin tim pa asnjë problem. Nëse do të dëmtoja ndonjëherë interesat e Sllovenisë, nuk do të mund të punoja në qeverinë sllovene apo të isha ambasadore”, tha ajo.
Për pretendimin e Tomc se Kosit i mungonte përvoja ekzekutive, ajo tha se ishte një gënjeshtër dhe një shpifje.
“Kam qenë drejtore e Zyrës së Qeverisë së Republikës së Sllovenisë për Komunikim dhe Zëdhënëse e Qeverisë për dy vjet; Nënkryetare e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Sllovenisë për tre vjet. Pikërisht gjatë kësaj kohe isha mbikëqyrësja e zonjës Tomc, e cila duket se e ka harruar këtë. E mbaj mend mirë, sepse ka bërë një punë të mirë si shefe e Shërbimit të Prokurimit Publik. Gjatë mandatit tim shtatëvjeçar si ambasadore, katër vjet në Gjermani dhe tre vjet në Zvicër, kam pasur nderin që jam shpallur Ambasadorja e Vitit në vitin 2016 (nga Diplomatisches Magazin). Kam marrë edhe medaljen e lartë gjermane të nderit për punën time – Kryqi i Madh i Meritës i Urdhrit të Meritës së Republikës Federale të Gjermanisë”, tha Kos, duke shtuar: “Kam shërbyer si drejtore e GKTI Slloveni, një kompani ekskluzive e Gustav Käser Training International në Zvicër, për tetë vjet”, tha Marta Kos.
Sipas ligjit, Kos tani duhet të marrë pjesë në një seancë dëgjimore të Komitetit të Çështjeve të BE-së të Asamblesë Kombëtare Sllovene, e cila fillimisht ishte caktuar për të premten.