Sindikata e Punëtorëve të Kompanisë “Pastrimi”, SH.A-Prishtinë, ka reaguar lidhur me zhgënjimin për anashkalimin e punëtorëve të vet, nga institucionet e nivelit lokal dhe qendror, për siç thonë ata, në mospërfshirjen e tyre në vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
“Ata do të duhej të shpërbleheshin sikurse punonjësit tjerë meritor, sepse të njëjtit punëtorë të kësaj kompanie çdo ditë po ballafaqohen drejtpërdrejtë me rrezikun e viruseve te ndryshme e sidomos tashme të koronavirusit COVID-19”, thuhet në reagimin e tyre.
Sindikata, e quan të padrejtë mospërfshirjen e tyre në Pakon Fiskale.
“Është e padrejtë dhe mbi të gjitha nuk është aspak njerëzore që në asnjë rast të vetëm nuk u përmendën punëtorët e Kompanisë “Pastrimi”, të cilët në këto ditë të rënda e të vështira, janë duke punuar me gjithë energjinë përkundër frikës dhe rrezikut që ju kanoset. Në kushte të rënda të pandemisë globale në të cilën ndodhemi, këta heronj nuk po kursejnë as veten duke punuar gjatë 24 orëve në kryerjen e shërbimit të largimit të mbeturinave në parandalimin e ndonjë epidemie tjetër”, thuhet ndër tjera në reagim.
Sindikata gjithashtu njofton se Kompania “Pastrimi” nuk ka ndërprerë punën asnjë ditë.
“Kërkojmë nga institucionet tona qendrore dhe komunale të reflektojnë dhe të rishikojnë edhe njëherë vendimet dhe t’iu dalin në ndihmë këtyre punëtorëve së paku nga 300 euro për ata të cilët gjatë gjithë kohës janë në punë për kujdesin e ambientit në të cilin ne po frymojmë”, thuhet në reagim.