Beogradi dhe Serbia është tronditur nga një tragjedi e dytë pa kaluar as 48 orë nga masakra në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” ku një 13 vjeçar vrau 8 bashkëmoshatarë të tij dhe rojën e shkollës. Në orët e vona të 4 majit, një tjetër i ri i moshës 21 vjeçare i identifikuar me inicialet U.B ka vrarë 8 persona në disa fshatra në periferi të Beogradit dhe 13 të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Të shtënat kanë ndodhur në fshatrat Dubona, Orshajë e vogël, Shepshin dhe në afërsi të Mlladenovacit.
Autoritetet e sigurisë së Serbisë kanë arritur që në orët e para të mëngjesit të pesë majit ta arrestojnë të dyshuarin për aktin, që presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq e ka quajtur edhe terrorist.
Policia e Serbisë kanë thënë se ende nuk i dinë se cilat mund të kenë qenë motivet për kryerjen e një akti të tillë, ndërkohë është bërë e ditur se të gjithë të plagosurit janë duke marrë trajtim nëpër spitale.
Një banor i fshatit Dubona ka thënë se papritur kishin ndodhur disa të shtëna me armë që kishte arritur t’i dëgjonte nga shtëpia e tij. Sllobodan Nikoliq në tregimin e tij ka thënë se ka dëgjuar të shtëna tri herë radhazi.
Siç ka rrëfyer ai, hera e parë ka qenë e gjatë dhe se autori duhej të kishte qëlluar diku 25 plumba. Pas kësaj thotë se kanë pësuar edhe dy të shtëna të tjera.
Nikoliq ka treguar se pas kësaj kishte dëgjuar dikë duke bërtitur nga rruga për ta telefonuar policinë meqë aty gjendej një personi shtrirë dhe i vdekur.
“Papritmas u dëgjua një breshëri. E para ishte e gjatë, duhet të ketë qëlluar 25 plumba. E dyta ishte pas një minute, dhe pastaj e treta. Pas kësaj një makinë erdhi tek rruga dhe dikush bërtiti: ‘ Thirrni policinë, djali është shtrirë i vdekur”, ka rrëfyer ai.
Banori tjetër Zvonko Mlladenoviq ka thënë se i ka dëgjuar të shtënat, por se nuk e ka ditur se çfarë ka ndodhur derisa e ka ndezur televizorin në mëngjes.
Mlladenoviq thotë se i ka njohur viktimat dhe janë fëmijë të vegjël. Ai ka shtuar se është i tronditur, fillimisht nga masakra në shkollën e Beogradit dhe tani edhe në fshatin e tij
“Kur kam dalë ka qenë fatkeqësi. I kam njohur viktimat, janë fëmijë të vegjël, kur kam dëgjuar jam tronditur. Fillimisht fëmijët në Beograd, tani këtu, çfarë të them. Unë jam pa fjalë”, ka thënë ky banor serb për REL (edicionin në gjuhën serbe), trasnmeton Gazeta Express.
Derisa një banor tjetër i këtij fshati ka rrëfyer se si e ka parë të gjithë ngjarjen, meqë të shtënat kanë ndodhur 30-40 metra larg oborrit të tij. Dragani tregon se kishte parë veturën dhe vrasësin kur kishte dalë nga makina e po qëllonte. Ai thotë se fillimisht kishte menduar që ai po hidhte fishekzajrre.
Ai tha se sulmuesi është kthyer nga vetura kur ka dëgjuar rënkime. Dragani ka thënë se menjëherë ka lajmëruar policinë dhe ambulancën.
Shumë qytetarë serbë janë drejtuar në institutin e transfuzionit të gjakut, pas apelit të Ministrisë së Shëndetësisë.
Për këtë tragjedi të dytë që ka goditur Serbinë brenda dy ditësh kanë reaguar zyrtarë të lartë të BE-së. Ka reaguar edhe kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, duke shprehur ngushëllime për ata që kanë humbur familjarët dhe shërim të shpejt për të plagosurit.
Kjo nuk është e vetmja herë kur Beogradi është tronditur nga kriminelët dhe vrasësit.
Dhjetë vjet më parë, në prill të vitit 2013, Ljubisha Bogdanoviq vrau 13 persona në fshatin “Velika Ivanča” afër Mlladenovcit.
Ai kishte vrarë gjashtë burra, gjashtë gra dhe një foshnjë.
Shpërndaje