Trupi gjykues e ka konsideruar si të pavlerë një video të prezantuar si provë materiale nga Prokuroria Speciale në rastin e Thaçit dhe të tjerëve, e cila iu prezantua fillimisht dëshmitarit të 16-të.
Prokuroria Speciale, ndonëse i mungonte pjesa kryesore e ceremonisë së betimit, prezantoi një video në seancën e së hënës ku shihej ish-komandanti i UÇK-së Fatmir Limaj dhe Ismet Jasharit, të njohur me nofkën “Komandant Kumanova”.
Prokuroria përmes kësaj synonte të bënte një krahasim të një ceremonie të betimit që kishte përmendur dëshmitari i 16-të në seancë private.
“Të nderuar gjykatës, duke pasur parasysh identifikimin që bëri dëshmitari dhe duke pasur parasysh që është pranuar në mënyrë të përkohshme si provë materiale ne mendojmë që është e përshtatshme që të pranohet”, ka thënë prokurori.
Këtë e ka kundërshtuar avokati i ish-presidentit Thaçi, Gregory Kehoe, duke thënë se mungon pjesa e betimit.
“Doni të pranoni regjistrim për një betim që s’ka betim konkretisht? Prokuroria thotë që një dëshmitar tjetër të identifikojë këtë. Në rregull, kur të vijë dëshmitari tjetër le ta bëjë. Fatmir Limaj dhe Ismet Jashari kanë qenë të pranishëm atje dhe ju po ju tregoni se si dukeshin ceremonia e betimit të UÇK-së”, ka thënë Kehoe.
Prokurori: Thuhet: Përshëndetje zotëri, kompania është gati për të ngritur flamurin kombëtar dhe për të bërë betimin. Dëshmitar, që ta sqarojmë, kjo nuk është ceremonia juaj e betimit për të cilin folëm në seancë private. Kjo ceremonia e betimit në video a është e ngjashme me atë që folëm bashkë në seancë private. Ato hapat që pamë në video ishin njësoj edhe në ceremoninë e betimit që përshkruat ju?
Gjykatësi: Po aty s’ka ndonjë betim.
Prokurori: Por betimi nuk është pjesë e regjistruar…
Dëshmitari: I dyti është Fatmir Limaj, i treti është Kumanova, Ismet Jashari.
Prokurori: Këta ishin tre personat e pranishëm në ceremoninë e betimit që diskutuam në seancë private?
Dëshmitari s’dëgjohet
Prokurori: Të nderuar gjykatës, duke pasur parasysh identifikimin që bëri dëshmitari dhe duke pasur parasysh që është pranuar në mënyrë të përkohshme si provë materiale ne mendojmë që është e përshtatshme që të pranohet.
Z. Kehoe: Doni të pranoni regjistrim për një betim që s’ka betim konkretisht? Prokuroria thotë që një dëshmitar tjetër të identifikojë këtë. Në rregull, kur të vijë dëshmitari tjetër le ta bëjë. Fatmir Limaj dhe Ismet Jashari kanë qenë të pranishëm atje dhe ju po ju tregoni se si dukeshin ceremonia e betimit të UÇK-së.