Douglas Costa, anësori i Juventusit, ka zbuluar se ka pasur dyshime për blerjen e Cristiano Ronaldos nga Real Madridi për më shumë se 100 milionë euro, por pranon se portugezi i fitoi të gjithë shumë shpejt në Itali.
Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” e ka justifikuar deri më tani investimin e klubit bardhezi, duke qenë pararojë e kryesimit të Serie A dhe shkuarjes në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
34-vjeçari shënoi tre gola në 1/8 e finales, duke përmbysur Atletico Madrid 3-0 në Torino, pas disfatës 2-0 në “Wanda Metropolitano”.
Costa, që nuk po ka shumë hapësira te “Zonja e Vjetër”, ishte skeptik për ardhjen e CR7. Ai mendoi se me ardhjen e Ronaldos, gjërat mund të përkeqësoheshin në dhomat e zhveshjes.
“Besoni apo jo, por kur u bisedua për ardhjen e Cristiano Ronaldos, unë pyeta: cila do të jetë tashmë situata në dhomën e zhveshjes? Ne të gjithë duhet ta duam njëri-tjetrin si shokë ekipi, sepse të tërë kërkojmë një vend në ekip, por Cristiano i fitoi të gjithë shumë shpejt. Ai është një djalë i thjeshtë dhe që dëshiron vetëm të fitojë. Juventusi po kërkonte një lojtar me mentalitetin e tij, kështu që ai na ka dhënë shumë”, tha Costa.
“Kur mbërriti, mendova nëse lojtari më i mirë në botë është bashkuar me ne, apo jo? Me të, klubi u përmirësua në çdo aspekt, kontributi i tij është i dukshëm. Ai shënon gola çdo javë, ka sjellë më shumë tifozë në stadium dhe ne shpresojmë të fitojmë gjëra të mëdha, të bëjmë histori me të”.