E premtoi, nuk e bëri, dështoi! Albin, ku mbetën 400 inspektorët e punës?

Prishtinë | 29 Tet 2024 | 08:12 | Nga Ekonomia Online

‘’Programi 8 orë punë”, do të promovojmë punën 8 orë në ditë – 40 orë në javë për punëtorët. Për ta arritur këtë synim do ta shtojmë numrin e inspektorëve të punës deri në 400’’, kështu kishte deklaruar kryeministri Albin Kurti, në ditën kur ishte betuar para deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës, ku u bë përsëri kryeministër i vendit.

Por as katër vite nga ky premtim, numri i inspektorëve të vendit nuk ka shkuar në 400 dhe përveç saj, nuk është se ka ndryshuar gjendja në sektorin privat e publik, në aspektin e respektimit të orarit të punës e të drejtave të punëtorëve.

Aktualisht në gjithë vendin operojnë rreth 60 inspektorë, apo shumëfish më pak se sa ishte premtimi i kryeministrit Kurti.

Si pasojë  e kushteve jo të mira dhe jo të sigurta në vendet e punës, vetëm ketë vit kanë humbur jetën 8 punëtorë.

Deputeti i VV-së: Rritëm numrin e inspektorëve, kjo tregon se jemi të interesuar për të përmirësuar kushtet e punëtorëve

Deputeti i VV-së, Fitim Haziri, për FrontOnline, thotë se synim i tyre gjithmonë ka qenë fuqizimi i Inspektoratit të Punës.

‘’Si Lëvizje Vetëvendosje, premtimi ynë ka qenë gjithmonë rritja dhe fuqizimi i Inspektoratit të Punës, për të përmirësuar mbikëqyrjen dhe respektimin e të drejtave të punëtorëve’’ thotë ai.

Haziri thotë se kur VV ka ardhur në pushtet, ishin 22 inspektorë, derisa tani janë rreth 60.

‘’Kur ne kemi premtuar pesëfishimin e numrit të inspektorëve, qëllimi ynë ishte të rrisim kapacitetet nga një trupë prej 22 inspektorësh sa ishin, në mënyrë që të përmirësojmë standardet e punës në të gjithë vendin. Tashmë kemi bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim. Numri i inspektorëve të punës është rritur në 60, dhe aktualisht kemi hapur konkursin për të shtuar edhe 60 inspektorë të tjerë’’ thotë ai.

Deputeti Haziri, deklaron se sipas tij kjo tregon përkushtimin tonë për t’i dhënë përparësi kësaj çështje.

‘’Kjo tregon përkushtimin tonë për t’i dhënë përparësi kësaj fushe kaq të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Jemi të vendosur t’i arrijmë qëllimet tona dhe do të vazhdojmë të punojmë për t’i përmirësuar standardet dhe të drejtat e punëtorëve’’ tha deputeti i VV-së.

Kreu i BSKPK-së: Duam numër me të madh të inspektorëve

Kryetari i BSKPK-së, Atdhe Hykolli, thotë për FrontOnline, se kanë pasur kërkesë edhe vetë si sindikatë që të ketë numër me të madh të inspektorëve në vend.

‘’Ne jemi kërkues që sa më shumë të kemi në Kosovë’’ tha ai.

Hykolli potencon se kanë kërkuar po ashtu të shikohet orari i punës dhe të mos lejohet të punohet me orar më të gjatë ose të punohet në të zezën.

”Premtimet kanë qenë që të kemi sa më shumë inspektor të punës, por edhe për shkak të kërkesës së sindikatave të pavarura të Kosovës, që të shihet orari i punës, që mos të ketë orar me të gjatë ose punë në të zezën, por kjo nuk ka ndodhur’’ tha ai.

Reçica: Në vend të shtimit të inspektorëve, Qeveria “Kurti” e hoqi Ligjin e punës nga agjenda e saj

Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, premtimin e Qeverisë Kurti se do të rriste numrin e inspektorëve, e quan si premtim të dështuar dhe fjalë boshe.

‘’Kjo Qeveri ka treguar mungesë serioziteti dhe përkushtimi për përmirësimin e kushteve të punëtorëve. Premtimi për shtimin e inspektorëve të punës dhe miratimin e një ligji të ri që rregullon marrëdhëniet e punës mbetet vetëm fjalë boshe’’ tha ai.

Reçica thotë se Qeveria Kurti, në vend që t’ i realizoj premtimet e saja, ajo ka tërhequr Ligjin e punës.

‘’Në vend që të realizojë premtimet e veta, qeveria ka tërhequr ligjin e punës nga agjenda legjislative pa asnjë arsye, duke lënë fuqinë punëtore në vend të ekspozuar ndaj shfrytëzimit dhe kushteve të pasigurta të punës’’ tha ai.

Ish-ministri, deklaron se punëtorët e Kosovës meritojnë më shumë dhe se ka nevojë për një ligj modern.

‘’Është koha që qeveria të marrë përgjegjësinë e plotë dhe të ndalë justifikimet dhe premtimet e pambajtura. Punëtorët e Kosovës meritojnë më shumë se masa të përkohshme dhe propagandë, ata kanë nevojë për një ligj modern që rregullon marrëdhëniet e punës, mbështet të drejtat e tyre dhe garanton siguri e mbrojtje të vërtetë’’ u shpreh Reçica.

Azemi:  Qeveria nuk bëri as lëvizjen më të vogël, kemi punëtorë që punojnë 300 orë në muaj

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, për FrontOnline, thotë se në Kosovë ka punëtor që punon 300 orë në muaj.

‘’Kemi punëtor që punon 300 orë brenda muajit e nuk ka ndodhë asgjë’’ thotë ai.

Azemi, potencon se premtimi i Kurtit për të bërë 400 inspektorë në vend, është një premtim në mes të thënës dhe të bërës.

‘’Ky premtim është në mes të thënës dhe të bërës. Ka premtuar se do i bëjë 400 inspektorë, por deri më tani i kemi 62 inspektor të punës, sepse kemi pasur 28 dhe është shtuar një numër prej 36 inspektorësh’’ Thotë ai.

Azemi, potencon se as me Qeverinë Kurti nuk po shohin ndryshim sa i përket respektimit të punëtorëve.

‘’Nuk po shohim ndryshim dhe këta inspektor që janë marr po dukën pa përvojë dhe definitivisht e kam thënë se as Qeveritë e kaluara as kjo Qeveri nuk ka bërë lëvizjen më të vogël se do të përmirësohen kushtet e sektorit privat’’ u shpreh ai.

Të ngjashme