E rrahën gjyqtarin, skuadra kosovare del me reagim, s’janë penduar për turpin e bërë

Prishtinë | 02 Tet 2023 | 15:19 | Nga Ekonomia Online

Skuadra e Ligës së Tretë në Kosovë, Arbanasi ka dalur me reagim pas turpit që bënë në fundin e ndeshjes ndaj Istogut 03.

Pa asnjë arsye dhe pas një referimi për duartrokitje nga gjyqtari Diamant Hoti, futbollistët e skuadrës mysafire e sulmuan fizikisht gjyqtarin kryesor të ndeshjes.

Madje për veprimin e bërë, skuadra kosovare nuk ka kërkuar falje por ka vazhduar me kritika.

“Të nderuar përgjegjës të futbollit për Ligën e Tretë dhe të interesuar të tjerë Përmes këtij reagimi, Klubi i Futbollit Arbanasi shpreh pakënaqësinë jashtëzakonisht të madhe ndaj gjyqtarit kryesor të ndeshjes K.F Istogu 03 dhe K.F Arbanasi 1982, po ashtu edhe ndaj gjyqtarit anësor të së njëjtës ndeshje, të cilët
me veprimet e tyre skandaloze arritën që të mos lejojnë përfundimin zyrtar të ndeshjes futbollistike të javës së VI-të në kuadër të Ligës së Tretë të Futbollit të Kosovës.

Gjyqtari kryesor i ndeshjes Diamant Hoti, ka shpërndar numër rekord të kartonëve të kuq dhe kartonëve të vardhë për Klubin e Futbollit Arbanasi, në shumicën e rasteve me vendime të padrejta duke dëmtuar imazhin e lojtarëve, klubit dhe mbi të gjitha autoritetin që do të duhej ta kishte personaliteti i një figure të respektueshme që ndan drejtësinë në fushën e gjelbërt por kjo nuk ndodhi në rastin e tij, aq më tepër kur ekipa vendase e kishte edhe lojtarin e 12-të në fushën e gjelbërt dhe kjo ishte normale për gjyqtarin e ndeshjes.

Qasja konfliktueze e gjyqtarit kryesor me trajnerin, stafin, me të gjjithë lojtarët në fushën e gjelbërt, ku shumica prej tyre janë ndëshkuar me kartona të kuq dhe kartona të verdhë pa të drejtë e ka sjellë gjendjen e gjyqtarit që me ndërpre ndeshjen duke dëmtuar rëndë mbi të gjitha edhe misionin dhe qëllimin e LLOGOS së Institucionit të Futbollit të cilin e mbante dhe në emër të së cilës LLOGO edhe është deleguar.

Pasi që ka dëmtuar drejtësinë në fushën e gjelbërt në këtë ndeshje futbollistike me ndihmën e gjyqtarit anësor, vendos të ndërpres ndeshjen futbollistike pa përfunduar koha e rregulltë, me ç’rast edhe pas përfundimit të ndeshjes vazhdon të merret me lojtarët duke krijuar situata konflikti verbal dhe vazhdimisht duke shpërndar karton të kuq, pa të drejtë edhe nga koridoret e objektit të stadiumit, ku distanca e gjyqtarit me lojtarët ishte me dhjetra metra largësi dhe nuk kuptohej arsyeja e ndëshkimeve.
Policia e Kosovës, përmes zyrtarëve të saj në këtë ndeshje ka ndërhyrë në mënyrë të çuditshme brenda kornizave të fushës së gjelbërt duke arrestuar lojtarin i cili nuk ishte pajtuar me ndarjen e drejtësisë në këtë ndeshje, sepse në ato momente lojtari i 12-të i ekipës vendase ishte në fushën e gjelbërt dhe lojtari në fjalë kërkonte sqarim dhe vendim meritor ndaj situatës së tillë.

Pasi që policët brenda kornizave të fushës ju vërsulën lojtarit tonë, e shtrin përtokë duke ja lidhur duartë dhe në ato raste vërehet edhe gjyqtari anësor i ndeshjes Endrit Gashi, i cili “ndihmon” arrestimin e lojtarit duke vendosur gjurin e tij te koka e lojtarit tonë i cili tashmë ishte i shtrirë përtokë.

Edhe pas përfundimit të ndeshjes, gjyqtari kryesor Diamant Hoti dhe gjyqtari anësor Endrit Gashi, vazhdojnë me qasje shumë konfliktuoze duke provokuar situata jo sportive dhe duke ndëshkuar lojtarë të ekipes pa të drejtë edhe rrugës për në dhomën e protokollit dhe në koridore të objektit përderisa lojtarët e dy ekipeve ishin bashkarisht në fushë duke ruajtur qetësinë.

Ndërkohë, Klubi Futbollit Arbanasi e falenderon për mikpritjen vendasin (K.F Istogu 03) dhe distancohet nga çdo veprim anti sportiv i çfarëdo personi me çfarëdo cilësie që posedon dhe apelon te përgjegjësit e rastit në kuadër të Ligës së Tretë të Futbollit të Kosovës, që ta shqyrtojnë rastin në mënyrë meritore sepse përmes gjyqtarëve të tillë të cilët janë në gjendje me ndëshku komplet ekipën me kartona të verdhë dhe të kuq pa të drejtë, nuk e ndihmojnë zhvillimin e sportit por e vështirësojnë mbijetesën e aktivitetit sportiv përmes klubeve duke dëmtuar skajmshmërisht LLOGON e Federatës dhe betimin e asaj për çfarë janë thirrur, dhe në fund sigurisht duke dëmtuar edhe klubet me padrejtësitë e tyre.

Ajo se si vepruan gjyqtari kryesor Diamant Hoti dhe anësori Endrit Gashi, ne si klub nuk ja dëshirojmë asnjë gjyqtari në fushën e gjelbërt dhe asnjë ndeshje futbollistike në cilindo nivel të kategorisë së garave që do të mund të zhvillohej por gjyqtarëve të tillë i dëshirojmë shëndet të mirë fizik dhe mbi të gjitha mendor për ta kuptuar rëndësinë e “zanatit” për të cilin janë thirrur, i cili profesion është më shumë se kaq, është MISION” thuhet në reagimin e Arbanasit.

Të ngjashme