E shkuara e një iluzioni të opozitës

Prishtinë | 19 Shk 2023 | 11:29 | Nga Afrim Kasolli

Gatishmëria dhe vullneti i kryeministrit Kurti, për ta pranuar planin franko-gjerman, apo siç po quhet ndryshe propozimin evropian, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, krahas implikimeve shtetërore, prodhon edhe pasoja te brendshme politike, veçanërisht sa i përket të ardhmes se partive politike opozitare.

Prej se kane ngelur në opozitë një pjesë e strukturave të tyre drejtuese thuajse i mbante kryesisht kalkulimi dhe shpresa se kur do të vjen dita që kryeministri do të konfrontohet përsëri më ndërkombëtarët për temën e dialogut, që ato të rikthen përsëri në pushtet. Besonin në mënyrë naive se Kurti nuk luftonte për pushtet, por vetëm për ide radikale. Se ai do ta braktiste atë sa e hap e mbyll sytë për hir të qëndrimeve të tij “utopike”. Pra për to më shumë kryeministri e kishte pamjen e një idealisti fanatik se sa një politikani “pragmatik”.

Prandaj, këtyre nuk do iu duhej të bënin asgjë tjetër, pos që duke qëndruar në disa kafiteri të kryeqytetit ta prisnin ditën e bekuar, momentin fatlum dhe përfundimisht ta shuanin etjen për t’u rikthyer përsëri atje ku kishin qenë. Pra më shumë kishin besim këto në karakterin martirizues të Kurtit, se sa ai në vetvete.

Ndërkaq, në funksion të këtij qëllimi, kohë pas kohe nuk harronin ta tejçonin ndonjë mesazh para diplomatëve ndërkombëtarë se Asociocioni duhej zbatuar etj, duke ekspozuar kështu veten si të gatshëm për të shtyer përpara këtë obligim që e kërkonte me ngulm bashkësia ndërkombëtare. Por që ne ketë mënyre, ato vetëm sa ia lehtësonin rrugën Kurtit që nesër të arsyetohej se ndryshimi i qëndrimeve të tij erdhi më shumë si pasojë e presioneve të opozitës, se sa faktorëve tjerë politikë dhe diplomatikë. E kështu ta imunizonte veten nga çdo kritikë dhe rezistencë e brendshme. Dhe po ashtu t’i shtrohej rruga për përftime dhe privilegje të jashtme.

Mirëpo, për fatin e tyre të kobshëm, kryeministri vendosi që të tregohet “pragmatik”. Ta pranonte çdo gjë që i vjen nga sallonet e diplomacisë ndërkombëtare. Dhe se pasi e nënshtroi opozitën tash i duhej mirënjohja ndërkombëtare. Madje në këtë metamorfozë politike ai ta ketë bekimin e kësaj opozite, pavarësisht faktit se në shumëçka procesi negociator që është duke e drejtuar kryeministri aktual, shënon prapakthim më atë që drejtohej nga ato, mirëpo kjo është temë për një shkrim tjetër.

Ky zhvillim i “befasishëm” tregon se sa iluzore ishte pritja e tyre. Kurse në këtë mënyrë ato u shndërruan në varrmihëse politike të vetvetes dhe se në këto rrethana do ta kenë të vështirë të dalin nga të qenit instrument i kryeministrit. Askush nuk do t’i marrë seriozisht kritikat e Lumir Abdigjikut ndaj këtij procesi, kur në fund ai do të detyrohet, që me të dy duart e tij të jetë kundër asaj që e ka artikuluar si regres në procesin e dialogut. Madje, kjo çarje ndërmjet mendimit dhe veprimit do ta pasqyrojë atë si një figurë ironike dhe komike. Ku për të politika, bindjet dhe ardhmja e shtetit, nuk janë diçka që ia vlen të angazhohesh dhe luftohet. Ato janë vetëm një lojë retorike. Mundësi për karrierë personale. Dhe se në fund duhet miratuar çdo gjë që vjen nga Kurti, sepse kështu qenka vendosur paraprakisht nga ndërmjetësuesit ndërkombëtar.

Në situatë më të lakmueshme nuk është as PDK-ja. Përkundrazi, drejtuesit e saj ka kohë qenë rob të iluzionit se në këtë situatë mund t’i ruajnë privilegjet dhe përfitimet ekonomike të përvetësuara me anë të firmave të tyre fantome në “regjimin e vjetër” dhe mundësisht të inskenojnë shfaqje të kohëpaskohshme të distancimit “kritik” nga e kaluara e tyre.

Ky proces filloi që me fushatën për zgjedhjet lokale në Prishtinë. Kjo ngjarje u shndërrua, në një lloj spektakli të purifkimit të tyre, nga kjo trashëgimi. Me këtë qasje, në mënyrë implicite, veçanërisht grupi politik i lidhur me kafiterinë Bon Vivant, e transmetonte mesazhin se ata ishin pjesë e një “mëkati” origjinal kolektiv partiak, por se tashmë ishin vënë në kërkim të shpëtimit për shpirtrat e tyre individual. Me këtë qasje ata e ofendonin edhe opinionin. E trajtonin si të pushtuar nga amnezia. Prandaj, do ta kenë të lehtë ta përfundojnë procesin e operacionit të tyre plastike, në mënyrë që to mos njihen tash e tutje se kush ishin paraprakisht. Kjo sjellje politike në shumëçka u ngjason legjendave që qarkullonin gjatë viteve ’90, ku thuhej se shumë qytetarë të Kosovës, pasi kishin emigruar në botën perëndimore martoheshin me gra plaka atje për ta fituar të drejtën e leje qëndrimit në ato vende, dhe vetëm pasi ta përfitonin këtë të drejtë, atëherë fillonin ta kërkonin dashurinë e vërtetë “platonike”. Prandaj, as që mund të pritet diçka më shumë me këtë nivel të tyre të (mos)vetëdijes politike. Natyrisht, tash mbetet te anëtarësia e tyre e gjerë se a do ta pranojnë me vulllnet këtë tjetërsim. E për Aleancën, as që ia vlen të flasim. Sepse ajo tashmë e ka bërë të qartë se është plotësisht pro këtij procesi.

Mirëpo, me zhvillimet e fundit kryeministri Kurti iu dha një goditje fatale këtyre iluzioneve. I la pa kauzë për një kohë të gjatë. Mbase tash kanë kohë të mjaftueshme të “reformohen”. Deri kur të përfundojë ky proces, fundi i të cilit kushdo që e ka lexuar atë që ka dalë në publik lidhur me përmbajtjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve as që shihet, të pakën PDK-ja ka shansa ta kompletojë qeverisjen se saj nën hije. Kurse, kryetari i LDK-së shpreson se do t’i mbulojë pluhuri i harresës kundërthëniet nëpër të cilat ka qenë i “detyruar” të kalojë në këtë kohë.

Të ngjashme