Asociacimi i Komunave me shumicë serbe është obligim shtetërorë i Republikës së Kosovës që me Dokumentin e Ahtisarit. Atëherë i është thënë opinionit publik se ky trup nuk është nivel i tretë (i mesëm) i qeverisjes.
Negociatat nën lehtësimin e BE-së si asimetrike rezultuan me marrëveshje të cilat e avansuan Kosovën në arenën ndërkombëtare në nisma rajonale si pjesëmarrëse e barabart me vendet e tjera të rajonit. Kosova nënshkroj Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit si relacion kontraktual BE-Kosovë!
Marrëveshja e fundit e vitit 2023 në mes kryeministrit të Kosovës Kurti dhe presidentit të Serbisë Vuçiq, solli në sipërfaqe Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe, duke i dhënë kapacitetin e “vetmenaxhimin”, një autonomi e koncentruar, krahasuar me atë që është formuluar në Dokumentin e Ahtisaarit, e që është autonomia e decentralizuar (adninistrative) për komunat me shumicë serbe.
Që në marrëveshjen e vitit 2015 në mes kryeministrit Mustafa dhe atij të Serbisë Vuçiq, nën lehtësimin e përfaqësueses së BE-së, znj. Mogherini, statuti i asocimit të komunave me shumicë serbe është dakorduar që të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Themelimi i “Bashkësisë së komunave me shumicë serbe” është obligim shtetërorë dhe ndërkombëtar meqë është subjekt i marrëveshjes në mes dy vendeve.
Ambasadori Orav është i sakt në deklaratën e tij se ky asocim i komunave me shumicë serbe do të themelohet heret a vonë, por është, ta quaj, interesant se “është deklaruar se Gjykata s’ka të bëjë me këtë çështje, konkretisht s’ka juridiksion për të vlerësuar”, apo “Gjykata Kushtetuese tha gjithashtu se në fakt ata nuk kanë çfarë të bëjnë sepse nuk kanë autoritet ta vlerësojnë atë.”
Vonesat në implementim të plrgjegjësive shtetërore dhe ndërkombëtare flasin për jo seriozitet dhe pa përgjegjësi instiucionale si në Kosovë, ashtu dhe në Serbi.
Derisa Serbisë i intereson të tejzgjasë dialogun deri në një momentum tjetër të volitshëm që do të involvonte edhe Rusinë, ndërsa pala kosovare nxjerr arsye të jo bindëse që gjykohet jetë më tepër material elektoral se sa sjellje dhe përgjegjësi institucionale/shtetërore.
Po, natyrisht se diplomacia e durimit në një moment mund të kërkoj zgjidhje për implementim të marrëveshjes për asocimin e komunave me shumicë serbe, që gjithnonë “duhet të kryhet në bashkëpunim me komunitetin serb dhe brenda kornizës së Dialogut.”
Para pak ditësh kryeministri Kurti u fut në një lloj “karantine diplomatike” duke e detyruar që të pranoj dokumentet e lëshuara nga institucionet paralele për të cilat në marrëveshjen e vitit 2013 është dakorduar të shuhen. Ky lëshim i natyrës “teknike” e që lexohet si hap politik, e ringjall Brukselin zyrtar, konkretisht znj Kallas dhe Z. Sorensen me deklaratën për të rikthyer dialogun në nivel të lartë. Të nxjerret dialogu nga “vdekja klinike” për të rikthyer prezencën e BE-së në rajon, që do të amortizonte diskursin që synonte zgjidhje me veprime kinetike.
E cila do të ishte mënyra tjetër e themelimit të Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe pa kaluar në Gjykatë Kushtetuese, Qeveri dhe të ratifikohet në Kuvend të Kosovës?
Themelimi i këtij asocimi të komunave me shumicë serbe, me elementet që tejkalojnë kornizën kushtetuese dhe ligjore, krijon një situat krejtësisht të re, që mendoj se mund të acaroj edhe më tej relacionet Kosovë-Serbi.
z. Orav, z. Sorensen, znj. Kallas, Statuti i Bsshkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, duhet të dërgohet një ditë e në parë në Gjykatë Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Është e qartë se kryeministri Kurti duhet ta dërgoi në Gjykatë Kushtetuese, dhe si të tillë të spastruar nga elementet jo kushtetuese të shndërrohet në ligj funksional në Kosovë.