“E thirra në telefon, u çudit”, Shpend Ahmeti flet për raportin e tij me Kadri Veselin

Prishtinë | 03 Gus 2021 | 13:07 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka dhënë një rrëfim të pazakontë për shumë gjëra që nuk janë ditur deri tash. Ai ka folur edhe për politikanë dhe raportet e tij me ta.

Ish-kryeparlamentarin dhe ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, Ahmeti e cilëson si befasinë më të madhe për të. Si personalitet, ai ka treguar se kishte pritur që Veseli të ishte shumë më ndryshe.

“Kadri Veseli për mua është befasia më e madhe pasi që e kam taku pas asaj që e kam dëgju. E kemi mendu shumë si SHIK. Kur e mendon dikë SHIK-u, SHIK-u, SHIK-u. Unë e kam pritë ma si dhelpër. Mendoj se në dialog ka qenë shumë i sinqertë. Unë nuk e njoh në asnjë formë tjetër”, ka thënë Ahmeti.

Ai tregoi se në rastin kur Veseli u akuzua nga Specialja, e kishte telefonuar, ndërsa thotë se ai ishte befasuar.

“Ditën kur është akuzu, e kam thirrë në telefon. Është çuditë pse e kam thirrë në telefon”, ka thënë Ahmeti.

Kryetari i Prishtinës tha se PDK-ja ka bërë shumë dëme, por shtoi se nuk kishte pasur ndonjëherë problem me Kadri Veselin, i cili e udhëhoqi këtë parti për disa vjet.

“Mendoj që PDK-ja ka qenë goxha e dëmshme për shumë procese, por si njeri kështu nuk kam pasë ndonjë problem. Se aq shumë folshin, mendojsha që del si ata të CIA që mendon qysh me e rrehë”, ka thënë Ahmeti.

Të ngjashme