Numri i rasteve të dhunës në familje në Kosovë shkon në përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes.
Një rast i tillë dhe mjaft i rëndë ka ndodhur së fundmi në fshatin Bardhosh të Prishtinës, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Sinjali mëson se rastin e ka denoncuar gruaja, e cila ka raportuar për dhunën që ka përjetuar nga burri i saj dhe shqetësimin që ia ka shkaktuar.
Edhe më i rëndë është fakti se viktima është me aftësi të kufizuara dhe burri i saj përveç që nuk është kujdesur për të, edhe ka ushtruar dhunë ndaj saj.
Bazuar në dëshminë e gruas së të dyshuarit, burri i saj është larguar nga shtëpia posa ajo ka vendosur që ta raportojë rastin.
Denoncimi i viktimës ka aktivizuar Policinë, me ç’rast kanë nisur kërkimet për kapjen e të dyshuarit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti, ndërsa veprimet e tjera do të ndërmerren posa të sigurohet prezenca e të dyshuarit.