“E turpshme dhe skandaloze”, Çitaku reagon pas videos ku Kurti ra pre e prank-ut të dy rusëve

Prishtinë | 26 Mar 2025 | 16:21 | Nga Ekonomia Online

Sekretarja e Përgjithshme e PDK’së dhe deputetja e zgjedhur e PDK’së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas një video të publikuar ku Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po dyshohet se ka rënë preh e një “kamere të fsheheur” të dy shakaxhinjve rusë të cilët iu prezantuan atij në emër të Presidenti të Letonisë.

Çitaku ka thënë se rënia në grackë nuk është “pjesa më e turpshme”, por se “e turpshme dhe skandaloze” është përmbajtja e asaj bisede, duke theksuar pjesën ku Kurti flet për opozitën, mediat, bizneset e administratën e re amerikane, shkruan Reporteri.net.

“E gjithë biseda nxjerr në pah një nivel shqetësues sipërfaqësor dhe të paditur në trajtimin e çështjeve të politikës së jashtme. Dhe nëse kjo është mënyra se si Kurti flet në takime me liderë ndërkombëtarë, atëherë… mozomakeq për ne. Mjerim”, ka thënë Çitaku.

Në pamjet, autenciteti i të cilave nuk është verifikuar ende, shihet kryeministri Albin Kurti derisa zhvillon bisedën me video-call me rusët, ndërkohë që kryeministri kosovar mendon se po flet me Presidentit letonez, Edgars Rinkēvičs.

Gjatë bisedës së pretenduar, ata flasin edhe për tema sensitive.

Pamjet tregojnë se video-call-i që rezulton “prank” u zhvillua në zyrën e Kurtit në Kryeministri.

Reporteri.net ka provuar të marrë deklarim nga zyra e Kurtit, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka pasur reagim rreth saj.

Të ngjashme