Çdo mëngjes, kur zgjohem sërish nën zymtinë e qiellit, ndjej se për mua sot është dita e Vitit të Ri.
Prandaj i urrej këto vite të reja që bien si maturitete fikse, të cilat e shndërrojnë jetën dhe shpirtin njerëzor në shqetësim komercial.
Na bëjnë që të humbasim sensin e vazhdimësisë së jetës dhe shpirtit. Shkojmë e marrim seriozisht pastaj se mes vitit të vjetër dhe atij të ri paska një pushim, që një histori e re qenka duke filluar; i vendosim qëllime vetes, pastaj na vjen keq për daljet huq. E kështu me radhë.
Na thonë se kronologjia është shtylla e historisë. Në rregull. Por na duhet të pranojmë se janë katër a pesë data thelbësore, që çdo njeri i mirë i mban të ngulitura në kokë, të cilat ia kanë marrë mendtë historisë. Edhe ato janë vite të rinj. Viti i Ri i historisë romake, i Mesjetës apo i kohërave moderne.
Këta të fundit janë bërë mësymës e të fosilizuar.
Kështu datat bëhen pengesë, një mur i ulët që na ndalon të shohim se historia vazhdon të shpaloset përgjatë të njëjtës linjë fondamentale të pandryshuar, pa ndonjë ndalesë të papritur si në kinema kur shkëputet filmi dhe ka një interval drite verbuese.
Prandaj e urrej Vitin e Ri. Dua që çdo mëngjes të jetë vit i ri për mua. Dua që çdo ditë të merrem me veten dhe të ripërtërihem. S’dua asnjë ditë “të lënë mënjanë” për pushim.
I zgjedh vetë pushimet, atëherë kur dehem nga intensiteti i jetës dhe më shkrep të zhytem për të marrë energji të reja.
Nuk dua të ketë oportunizëm shpirtëror. Do të dëshiroja që çdo orë e jetës sime të jetë e re, ndonëse e lidhur me ato që kanë kaluar.
Asnjë ditë festive, me ritmet e detyrueshme kolektive të saj, s’dua ta ndaj me të huaj që s’më interesojnë.
Meqenëse gjyshërit e gjyshërve tanë, e kështu me radhë, kanë festuar, duhet të festojmë edhe ne. Kjo është e neveritshme.
E pres socializmin edhe për këtë arsye. Sepse ai do t’i hedhë në plehra gjithë këto data të cilat nuk kanë jehonë në shpirtin tonë.
Edhe në krijoftë të tjera, së paku do të jenë tonat dhe jo ato që duhet t’i pranojmë pa rezerva nga paraardhës të trashë.
***Antonio Gramshi (22 janar 1891 – 27 prill 1937) me origjinë shqiptare njihet si politikan, filozof, politolog, gazetar, gjuhëtar dhe kritika letrar në Itali. Ai ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste në Itali në vitet 26-27. Reflektimi për Vitin e ri është publikuar nga “Huffingtonpost”. Marrë nga kujtimet e tij.