Fatkeqësisht, ne shpeshherë punët i nisim nga bishti e jo nga koka. Kjo nuk është vetëm metaforë, por një realitet i dhimbshëm në mënyrën se si trajtohen çështjet me rëndësi kombëtare në Kosovë dhe Shqipëri.
Kur mungon rendi logjik i veprimit, mungon edhe përgjegjësia dhe aty fillon deformimi i së vërtetës.
Rasti i financimit të botimeve pa një verifikim të mirëfilltë profesional është tregues i qartë i kësaj qasjeje. Institucionet përkatëse, në radhë të parë Kuvendi i Republikës së Kosovës si organi më i lartë ligjdhënës, përpara çdo mbështetjeje financiare është dashur të formojnë komisione profesionale të përbëra nga ekspertë të së Drejtës Penale, Kriminalistikës dhe fushave të përafërta, me qëllim që çdo material të shqyrtohej me përgjegjësi dhe standarde të mirëfillta shkencore.
Në mungesë të këtij filtri, përgjegjësia nuk mbetet vetëm individuale, ajo bëhet institucionale. Sot, libri është bërë produkt pa standard. Shumëkush shkruan, sepse askush nuk kërkon kriter.
Shtëpitë botuese, në vend që të jenë rojtarë të cilësisë dhe etikës, janë kthyer në mekanizma përfitimi, ku bluhet bashkë gruri dhe egjra, pa dallim dhe pa përgjegjësi.
Në këtë realitet, anashkalimi i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë është jo vetëm i padrejtë, por edhe i rrezikshëm.
Ky institucion, që nga 14 dhjetori 1989, ka bërë një punë titanike në dokumentimin e burgosjeve, keqtrajtimeve, dhunimeve, vrasjeve dhe dëmeve materiale që Serbia i ka shkaktuar popullit shqiptar të Kosovës.
Krimet nuk kanë filluar me luftën e viteve 1998–1999. Ato janë paraprirë nga një dhunë sistematike dhe e organizuar shtetërore. Masakrimi i Ismet Gjocajt në Deçan, i Januz Zenelit në burgun e Beogradit dhe i Besnik Restelicës në burgun e Prishtinës, janë vetëm disa nga dëshmitë e kësaj dhune, që për nga natyra dhe qëllimi përbëjnë forma të rënda të krimit dhe gjenocidit.
KMDLNJ kishte shtrirje në të gjitha komunat përmes nënkëshillave të saj dhe ishte në kontakt të vazhdueshëm me delegacione ndërkombëtare. Veç kësaj, anëtarët e kësaj shoqate joqeveritare nuk mbetën vetëm dëshmitarë të krimit, ata u bënë edhe pjesë e sakrificës. Avokati i njohur Bajram Kelmendi u vra dhe u masakrua nga forcat serbe së bashku me dy djemtë e tij, ndërsa në frontet e luftës ranë edhe figura të tjera si Shaban Shala dhe shumë të tjerë.
Në vitin 1997, raporti i përgatitur nga Elizabeth Rehn evidentoi qartë karakterin e proceseve të montuara kundër shqiptarëve, duke theksuar se aktakuzat përgatiteshin në Beograd dhe lexoheshin në Prishtinë.
Në të njëjtën kohë, zëri i juristit Bajram Kelmendi, anëtar i KMDLNJ, në Dialogun Shqiptaro-Serb në Ulqin, kumboi si një e vërtetë historike: “Kosova duhet të jetë e pavarur.”
Edhe pse pa mbështetje institucionale dhe pa financim të qëndrueshëm, KMDLNJ arriti ta ndërkombëtarizojë çështjen e Kosovës. Përfaqësuesit e saj, përmes Federatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në Paris, morën pjesë në nënkomisionet e OKB-së në Gjenevë, duke paraqitur dëshmi konkrete për krimet dhe gjenocidin.
Kjo u bë falë mbështetjes së mërgatës shqiptare, veçanërisht në Zvicër, dhe jo falë institucioneve shtetërore.
Puna e tyre ishte konkrete, e dokumentuar dhe e verifikueshme: buletine në disa gjuhë, mijëra fotografi, dëshmi të drejtpërdrejta, ekspozita ndërkombëtare dhe prezencë aktive në internet – në një kohë kur teknologjia nuk ishte e përhapur sa sot.
Pikërisht këtu qëndron paradoksi më i madh: sot, një pjesë e konsiderueshme e këtyre materialeve përdoren në libra dhe studime, por pa referencë, pa burim dhe pa etikë. Fotografitë merren, përdoren dhe publikohen pa u shënuar me emblemën e KMDLNJ-së.
Pra, përvetësohet puna e tjetrit dhe fshihet gjurma e së vërtetës. Kjo nuk është vetëm padrejtësi është rrezik. Kur deformohet burimi, deformohet edhe historia. Sikur të kontribuonim pa hile të gjithë, nuk do të kishim nevojë të çonim pluhur kot.
Rruga e drejtë nuk është ndërtimi i institucioneve të reja pa bazë, por konsolidimi i asaj që është ndërtuar me sakrificë. Fillimisht duhej të mblidhej, sistemohej dhe arkivohej i gjithë materiali ekzistues, e pastaj të ndërtohej një institut i mirëfilltë për studimin e krimeve dhe gjenocidit.
Sepse duke e minimizuar punën e pararendësve dhe duke promovuar vetëm veten, ne nuk ndërtojmë, ne shkatërrojmë. Shkatërrojmë kujtesën, shkatërrojmë të vërtetën dhe, në fund, shkatërrojmë vetveten.
Largimi i tabelave në atë mënyrë nuk ofendon vetëm z. Shkëlzen Gashi, por më tepër ata që “paguan iriqin për pulë”. Sepse kur mungon kriteri dhe përgjegjësia, gabimi nuk është më individual, ai bëhet turp kolektiv.